Lajme Shqip Wednesday, 21 December 2011 18:30

Tiranë – Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha vijoi sot konsultimet, me banorë të Njësisë Bashkiake numër 1.

Basha bëri të ditur projektet që do të mbështet nga buxheti i vitit 2012, për Njësinë Bashkiake,  ku ndër të tjera përfshihet  sistemi i shtratit të Lanës, ndërtimi i Urës së Shkozës ndërtimi i një shkolle dhe një çerdheje.

“Do të kemi vazhdimin e sistemimit të shtratit të Lanës dhe  rrugëve paralele, deri tek ura e Shkozës. Ndërtimi i  urës së Shkozës, i cili  është një premtim i imi, rikonstruksioni i rrugës “Agusht Jorgjevica”,  po kështu në zonën e Shkozës, rikonstruksioni i  rrugës “Pasko Hysa”, vazhdimin e rrugës “Hasan Sufa” deri tek Materniteti i Ri”. Basha bëri të ditur se në fushën e arsimit dhe kujdesit social janë përfshirë dy objekte, ndërtimi i shkollës 9- vjeçare, në rrugën “Ali Demi” dhe çerdhja nr. 50 në rrugën “Shemsi Aga”.

Kryetarja e Njësisë Bashkiake numër 1, Lindita Nikolli kërkoi mbështetjen e Kryetarit të Bashkisë z.Basha për  ndërtimin e një qendre komunitare në këtë Njësi Bashkiake, propozim i cili gjeti mbështetjen e zotit Basha.

Në këtë takim, Basha bëri të ditur se në këtë buxhet do të hapet moodeli i garës për fonde bashkiake, ku do të përfitojnë ato  njësi që do të ofrojnë shërbime më të mira për komunitetin.

“Në këtë buxhet do të nisim modelin e garës, për fonde bashkiake dhe do ta përforcojmë gjatë vitit dhe në buxhetin e vitit të ardhshëm. Kjo do të thotë që minibashkia ku territori mbahet më pastër, atje ku klima ndihet më miqësore ndaj qytetarit dhe biznesit, minibashkia që bën më shumë për rininë, që nga fëmijët e vegjël dhe rinia parauniversitare, do të stimulohet me fonde dhe projekte nga Bashkia e Tiranës”.

Kryebashkiaku nënvizoi se “do të shkojmë një hap më tej për kërkesën që parashtruat dhe jo vetëm që do ta mbështesim këtë që po bëni, por do ta nxisim këtë në të gjithë territorin e Tiranës”.