Bruksel-Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Kethrin Eshton ka caktuar të mërkurën ministrin e jashtëm të Sllovenisë Samuel Zbogar që të jetë shef i zyrës së BE-së në Kosovë.
Në këtë mënyrë i është dhënë fund një procesi pothuajse njëvjeçar prej kur zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë është vetëm me ushtrues detyre, ndërsa po ashtu ushtrues detyre ka edhe në postin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së në Kosovë.
Zbogar së pari do të marrë përsipër udhëheqësinë e zyrës të KE-së, që në të ardhmen, sipas marrëveshjes mes shteteve anëtare të BE-së do të quhet “zyre e BE-së në Kosovë”.
Më pas, gjatë muajit janar vendet anëtare në nivel ministrash duhet të pajtohen që ta emërojnë zotin Zbogar edhe në funksionin e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë.
Kështu, në të ardhmen, të dy postet do t’i ushtrojë i njëjti person, i cili do të jetë edhe shef i zyres edhe përfaqësues i lartë i BE-së.
Për momentin, deri në fund të muajit janar, ushtrues detyre i përfaqësuesit të posaçëm të BE-së në Kosovë është diplomati Italian Fernando Gjentilini, të cilit mandati i tretë i përkohshëm i skadon në fund të muajit janar.
Në BE besojnë se deri në atë kohë do të kryhen edhe procedurat e nevojshme për të mundësuar që Zbogar, prej shkurtit të vitit që vjen t’i marrë përsipër të dy funksionet.
Në selinë e BE-së në Bruksel pohojnë se për Bashkimin Evropian në të ardhmen do të jetë mjaft e rëndësishme që të ketë një zë i cili do të ketë edhe rol politik si përfaqësues i BE-së, por do të jetë në një mënyrë edhe shef i një ekipe të madhe të BE-së që do të punojë në Kosovë.
Deri më tani zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian nuk ka qenë e lidhur drejtpërdrejt me zyrën e përfaqësuesit të BE-së në Kosovë, ndërkaq me hyrjen në fuqi të traktatit të Lisbonës, tash, në vendet ku ka përfaqësues të posaçëm, ata përfaqësues janë në të njëjtën kohë edhe shef të zyrave.
Pra, në Kosovë, për dallim me vendet tjera, BE-ja nuk do të ketë delegacion por do të ketë vetëm zyre, sepse delegacionet janë në vendet që BE-ja i trajton si shtete, ndërkaq Kosovën nuk mund ta trajtojë si shtet përderisa të gjitha shtetet anëtare të mos e njohin pavarësinë e saj.
Si do që të jetë, në BE theksojnë së është arritur një kompromis i duhur për të pasur një prani unike të BE-së edhe në Kosovë në të ardhmen. (REL)
Wednesday, 21 December 2011 17:30