Lajme Shqip Wednesday, 21 December 2011 13:25

Prishtinë – “Besa në traditën shqiptare” është studimi më i plotë për besën i publikuar deri më sot në Kosovë. Kështu është vlerësuar vepra më e re e akademikut Mark Krasniqi.

“Besa në traditën shqiptare” është promovuar dje në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Në rreth dyqind faqe, Mark Krasniqi ka nxjerrë në dritë fakte për kuptimin e fjalës besë.

Por, autori nuk është mjaftuar me kaq. “Besa në traditën shqiptare”, po ashtu jep një pasqyrë për mënyrën se si është trajtuar besa nga disa autorë shqiptarë e të huaj, rolin e saj në kohën e luftës dhe në mbrojtjen e hebrenjve e deri te antonimi i kësaj fjale – pabesia.

“Tradita shqiptare është një pasuri shumë e madhe e popullit shqiptar dhe kjo është e njohur edhe tek të huajt. Për traditën tonë ka fakte shumë interesante dhe unike”, ka thënë akademiku Mark Krasniqi, derisa ka përmendur Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe pajtimin e gjaqeve.

Besim Bokshi, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ku kjo e fundit ka botuar edhe librin, ka thënë se “Besa…” e ka begatuar krijimtarinë e gjerë të veprave të akademikut Krasniqi.