Athinë-Iniciativa të ndryshme kanë nisur në Greqi ku qytetarët ndihmojnë njëri tjetrin për të përballuar krizën ekonomike që ka goditur vendin, përmes produkteve apo shërbimeve falas. Kështu tregjet sociale po lulëzojnë anë e mbanë Greqisë.
I tillë është edhe tregu në bashkinë e Ilioupolit pranë Athinës, i mbushur me produkte të dhuruara nga kompanitë greke ose të sjella nga stafi i bashkisë me rrogat e tyre që shiten shumë më lirë se në vendet e tjera.
Një shitës thotë se këtu vijnë shumë familje, veçanërisht ato me shumë fëmijë apo pensionistët. E njëjta bashki ka hapur edhe një farmaci sociale me ilaçe falas të dhuruara nga kompanitë farmaceutike, kishat apo dhe vetë qytetarët që kanë në ship ilaçe të pahapura por brenda datës së skandencës.
Një rrjet kinemash ka ofruar ndërkohë hyrje falas për të papunët, ndërsa jep dy bileta me çmimin e njërës në ditët e javës. Edhe ekspozitat e artit apo teatrot po ofrojnë gjithashtu bileta falas për personat e papunë.
Websajte të ndryshme ndërkohë kanë nisur iniciativa bamirëse duke koordinuar individët bizneset dhe organizatat.
Bukëpjekësja Chrisoula Votsidi merr pjesë në një prej këtyre iniciativave ku mbledh bukët e pashitura të ditës dhe i dhuron ato tek organizatat në lagjen e saj që kujdesen për fëmijët e familjeve në vështirësi.
Ndërsa bashkia e Zografou, në rrethinat e Athinës përgatit vakte për më shumë se 200 familje nga produktet e dhuruara prej organizatave jo qeveritare.
Po kështu janë hapur edhe kuzhinat e supës apo pazaret e shkëmbimit ku njerëzit shkëmbejnë sendet personale pa paguar para.
Papunësia në Greqi ka arritur tashmë në 18 % që nga fillimi I krizës vitin e kaluar, ndërsa rrogat, pensioned he përfitimet e tjera sociale janë reduktuar duke detyruar një pjesë të mirë të njerëzve të kërkojnë ndihmë. (Lajmeshqip.com)
Wednesday, 21 December 2011 08:00