Bruksel-Një delegacion i nivelit të lartë i Kosovës, që kryesohet nga zv/kryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, në përbërje të të cilit janë edhe Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Enver Peci, Kryeprokurori Ismet Kabashi dhe Drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, po qëndron për një vizitë pune në Bruksel.
Sipas njoftimit të dhënë pak më parë nga Ministria e Drejtësisë, në takim me Drejtorin e Drejtorisë për Menaxhim të Krizave dhe Planifikimit, Walter Stevens, është diskutuar për fazën fillestare të përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur, me theks të veçantë për sistemin e drejtësisë, për policinë dhe segmente të tjerë ku do të mund të fillonte zvogëlimi i prezencës së pjesëtarëve të misionit të BE-së pas ngritjesn së kapaciteteve të institucioneve vendore.
Si sfidë e veçantë në vitin që vjen është cilësuar situata në veri dhe është folur për veprimet që duhen ndërmarrë për rikthimin e normalitetit atje. Është rënë dakord që të hartohet një plan i përbashkët me detyrat dhe obligimet konkrete që do të kenë institucionet e Kosovës dhe EULEX-i, në mënyrë që rendi dhe ligji të jenë funksional në të gjithë territorin e Kosovës.
Zv/kryeministri Kuçi ka shtruar si të domosdoshme nevojën e veprimeve konkrete në veri, si dhe ka kërkuar që të fillojë zbatimi i marrëveshjeve tashmë të arritura me Serbinë. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 20 December 2011 22:30