Bruksel: Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Ulrike Lunaçek, u ka bërë sërish thirrje pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian: Greqisë, Qipros, Rumanisë, Sllovakisë dhe Spanjës që të njohin pavarësinë e Kosovës, e cila tashmë është njohur nga 22 vende të BE-së.
Në një intervistë për agjencinë “Euroaktiv”, ajo tha se do të ishte shumë më mirë nëse do të kishte konsensus të gjerë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, por meqë kjo ka qenë e pamundur të mbështetej përmes një rezolute të Këshillit të Sigurimit, shpallja e pavarësisë në shkurt të vitit 2008 ishte e vetmja rrugë që t’i jepej zgjidhje problemit të Kosovës.
Lunaçek tha se shpreson që në një të ardhme të afërt, Serbia do ta njohë Kosovën, por më parë, ka theksuar ajo, këtë veprim duhet ta ndërmarrin pesë vendet evropiane që ende nuk e kanë bërë.
“Asnjë prej pesë vendeve të Bashkimit Evropian, as Spanja e asnjë tjetër nuk kanë më arsye që edhe më tej të mos njohin pavarësinë e Kosovës, sidomos pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të korrikut 2010, ku thuhet se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të Drejtën Ndërkombëtare”-ka thënë Lunaçek.
Ajo ka bërë të qartë se Kosova është një shtet i ri dhe se perspektiva e saj bashkë me atë të vendeve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian.
Tuesday, 20 December 2011 18:00