Tetovë – Pushteti lokal i Tetovës kërkon 2,5 milionë euro nga pushteti qendror për përfundimin e projektit për furnizim me ujë të qytetit me përfshirjen e ujërave sipërfaqësore nga Lumi i ftohët dhe lumi Pena, si dhe ndërtimi i filter stacioneve.
“Projekti për furnizim të Tetovës paraqet investim kapital të filluar nga ana e Qeverisë, respektivisht Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Në lidhje me dinamikën e mjeteve të caktuara mund të vërehet zvogëlimi i tyre drastik nga viti në vit deri në vitin 2010 kur për herë të fundit u dedikuan mjete për këtë projekt”, tha zëdhënësi i komunës së Tetovës, Flakron Pustina në konferencën e sotme për shtyp.
Ai potencoi se komuna nuk mund të hyjë në borxhe që ta realizojë këtë projekt dhe se angazhohet për gjetje të zgjidhjeve tjera.
Qytetarëve të Tetovës u nevojiten rreth 350 litra ujë në sekondë për furnizim normal për shkak se komuna ka bërë apel për shfrytëzim më racional të ujit dhe denoncim të keqpërdorimeve eventuale në shërbimet kompetente.
Sipas të dhënave në komunën e Tetovës, me projektin për përfshirje të ujërave sipërfaqlësore nga Lumi i ftohtë dhe lumi Pena, si dhe ndërtimi i filter stacioneve është filluar në vitin 2007 kur nga buxheti shtetëror janë caktuar 75 milionë denarë nga të cilat në terren janë realizuar rreth 75 milionë denarë. Herën e fundit janë marrë mjete në vitin 2010 në vlerë prej 8,5 milionë denarëve.
“Mbeten gjëra në vlerë prej rreth 2,5 milionë euro për ndërlidhje të intervenimeve të ndërtuara të Malit Sharr me ujësjellësin e qytetit dhe ndërtimin e filter stacionit”, thonë nga komuna.
Tuesday, 20 December 2011 21:00