Lajme Shqip Tuesday, 20 December 2011 20:30

Tiranë – Gjuha e njësuar shqipe ka ndarë edhe njëherë në dysh gjuhëtarët, duke thelluar mes tyre “hendekun” veri-jug, e respektivisht toskërisht-gegërisht.

E përditshmja Gazeta Shqiptare shkruan sot se shkas për këtë u bë konferenca e djeshme gjuhësore “Gegnishtja sot”, organizuar nga Instituti i Promovimit të vlerave në Gjuhën Shqipe me pjesëmarrjen e emrave të njohur të gjuhës.

Ka dy mendime sa i takon gjuhës së njësuar, gegët që e kundërshtojnë sepse i ka përjashtuar, e toskët që e mbrojnë sepse është gjuha e tyre. Por kundërshtarët e standardit aktual kanë edhe një ‘as’ nën mëngë, që nga ana tjetër mund të shihet edhe si bumerang. Problemi i tyre është vështirësia që gjen sot brezi i ri për të kuptuar gegnishten dhe autorët e mëdhenj të kësaj tradite.

Si do të dukej letërsia shqipe nëse “për faj të standardit” nuk kuptohet e nuk lexohet Buzuku, Mjeda, Fishta, Migjeni, Camaj, etj., etj.? Mungesa e fjalëve të këtij dialekti dhe paskajorja janë kërkesat kryesore.

A na duhet një kongres i ri për të diskutuar e vendosur mbi gjuhën? Disa janë plotësisht të këtij mendimi, teksa theksojnë se ndaj gegnishtes është bërë mëkat, krim apo edhe masakër.