Lajme Shqip Tuesday, 20 December 2011 17:30

Tiranë – Ato biznese që do të aplikojnë sistematikisht skonto, do të promovohen nga Bashkia e Tiranës, e cila po vijon monitorimin e çmimeve në tregje.

Nënkryetari i Bashkisë, Edmond Panariti, i pranishëm në inspektimin që u krye sot në tregun “Avni Rustemi” deklaroi se çmimet këtë fundvit janë të qëndrueshme.

“Konsatojmë me kënaqësi që tregëtarët i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes tonë për të afishuar çmimet. Konsumatorët tashmë marrin informacion të drejtpërdrejtë për çmimin. Vlerësojmë që çmimet kanë një qëndrueshmëri për të gjitha artikujt bazë të shportës. Kjo është një tendencë pozitive dhe tregon që bizneset i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes tonë për të mos abuzuar me çmimet dhe kjo është e leverdisshme dhe për ta, pasi në këtë mënyrë krijohet një marrëdhënie e qëndrueshme besimi me konsumatorët”, tha Panariti.

Sipas tij, Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit do të shpërndajë çertifikata mirënjohje për bizneset që respektojnë konsumatorin.

Panariti u shpreh se, “i bëj thirrje tregtarëve që të bëjnë skonto siç është në traditën e të gjitha vendeve europiane. Bërja e skontove i jep fisnikëri biznesit, prandaj i ftoj bizneset që të bëjnë skonto në këtë periudhë dhe ta kenë si politikë të vazhdueshme”.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës ka paralajmëruar tregëtarët se, nëse do të ketë spekulime të rritjes së çmimeve, atëherë do të veprohet me gjithë sanksionet që dikton ligji.