Lajme Shqip Tuesday, 20 December 2011 18:00

Tiranë – Drama “Vdekja dhe Virgjëresha” do të ngjitet sot premierë në Teatrin e Metropolit, në kuadër të Festivalit të Regjisorëve të Rinj, 2011.

Regjisori Kliton Hoxha ka zgjedhur aktorët Enkela Braho, Neritan Liçaj dhe Saimir Braho për të interpretuar veprën e Ariel Dorfman.

Ngjarja zhvillohet në një shtëpi bregdetare jashtë qytetit, autori e vendos ngjarjen në një vend të Amerikës Latine të papërcaktuar, për të simbolizuar të gjitha demokracitë e brishta postdiktatoriale, pikërisht në natën kur Gerardo, një jurist, është emëruar në stafin e komisionit hetimor të krimeve dhe përndjekjeve të së kaluarës së afërt. Gruaja e tij Paulina, një ish e përndjekur është një nga viktimat e torturuara, pjesë e krimeve të cilat pretendohet të dalin në dritë me angazhimin e këtij komisioni.

Shfaqja do të ngjitet mbrëmjen e sotme në sallën “Çehov” të Teatrin të Metropolit, ora 20:00. Kjo është shfaqja e radhës e Festivalit të Regjisorëve të Rinj, pas “Koleksioni i qelqtë” nga Lorin Terezi dhe “Show time” e regjisores Armela Demaj.