Tiranë (PLOTESUAR, 20 Dhjetor, 16:30) Deputeti i PS-së, Kastriot Islami pak çaste pas përjashtimit të tij nga radhët e grupit parlamentar socialist e konsideroi këtë vendim “një veprim të paprecedent, autoritar dhe stalinist”.
“Vendimin e grupit parlamentar do ta konsideroja një veprim të paprecedent, një veprim me dyer të mbyllura dhe në mungesë të personit që dënohet, një veprim që definohet si autoritar dhe stalinist”, deklaroi Islami në komunikimin me mediat nga selia e kryesisë së Kuvendit pas përfundimit të mbledhjes ku grupi kuvendor socialist vendosi përjashtimin e tij.
Duke shprehur vendosmërinë se bindjet e tij janë “plotësisht dhe thellësisht të drejta” ai vuri në dukje se prej dy vjetësh është izoluar nga punët e partisë dhe kuvendit, ndërsa është shantazhuar dhe margjinalizuar për shkak të hyrjes në Kuvend.
Islami ndërsa shprehu “keqardhje dhe trishtim” për vendimin e sotëm të grupit, theksoi se ai (vendimi) “nuk është çështje e përballjes time personale me Edi Ramën, por e ballafiqimit të dy filozofive të ndryshme”.
*************************
Tiranë-Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka përjashtuar sot deputetin Kastriot Islami. 4 deputetët Arben Malaj, Tom Doshi, Azir Gashi, Marko Bello votuan kundër vendimit të grupit, ndërsa 2 të tjerë abstenuan.
Vendimi u mor gjatë një mbledhje me dyer të mbyllura. Kryesia ia delegoi të premten vendimin grupit parlamentar.
Kryetari i grupit Gramoz Ruçi në mbledhjen e kryesisë, u ngarkua që të thërriste deputetin Islami për të sqaruar mungesën e tij, në votimin për kreun e KLSH-së, Bujar Leskaj, në seancë plenare.
Kastriot Islami priti përrreth 30 minuta në ambientet e selisë rozë, u largua nga selia e PS-së pas komunikimit të vendimit se mediat nuk do pranoheshin në mbledhje.
Duke e cilësuar një ngjarje të rrallë për politikën shqiptare, Islami ftoi mediat në orën 14:30 në Kuvendin e Shqipërisë për ti komunikuar qëndrimin e tij.
Islami kërkoi mbledhje të hapur për mediat
Mbledhja e grupit parlamentar socialist nisi pak pas orës 15.00 me kërkesën e deputetit Islami që mbledhja të ishte e hapur për mediat, gjë që u refuzua nga grupi kuvendor socialist.
“Sapo më vuri në dijeni Taulant Balla që është vendosur se kjo mbledhje do bëhet me dyer të mbyllura. Kjo është ngjarje speciale, ndodhi e radhë e politikës shqiptare dhe unë nuk mund ta shpenzoj qëndrimin tim në një sallë të mbyllur. Do ju ftoja në orën 14:30 të i’u bëj publike qëndrimin tim. Pasi nuk isha përgatitur për këtë opsion. Kuvendi është vendi i dytë ku unë mund të shpreh vendimin tim”,- theksoi Islami.
Para fillimit të mbledhjes, Islami tha se kishte kërkuar që mbledhja të bëhej me dyer të hapura që të ishte sa më transparente.
“I kam kërkuar kryetarittë grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, që mbledhja të bëhet në prezencë të medias, që të jetë sa më transparente për publikun qëndrimi im dhe i gjithë grupit. Me anë të një e-mail jam lajmëruar se grupi sot ka një axhendë dhe pika e parë e sa është diskutimi i seancës së Kuvendit, ku u zgjodh kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj”, sqaroi mediat depueti Islami para filimit të mbledhjes së grupit të PS-së. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 20 December 2011 14:29