Lajme Shqip Tuesday, 20 December 2011 14:10

Tiranë – Konsultimet për projektbuxhetin 2011 të Bashkisë së Tiranës, kanë vijuar me njësinë bashkiake numër 7.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha nënvizoi rëndësinë që ka ky konsultim i buxhetin si në rritjen e transparencës para qytetarëve, por edhe të adresimit sa më të mirë të problematikës me të cilën ndeshen qytetarët e Tiranës.

Projekt -buxheti prej rreth 70 milionë dollarësh parashikon trefishim investimesh.  Kryetari i Bashkisë, Basha bëri të ditur se, buxheti mbështet përpjekjen e Bashkisë për të kanalizuar më shumë fonde tek investimet dhe më pak shpenzime për administratën.

“Për herë të parë, Këshillit Bashkiak do t’i paraqitet jo thjesht shuma, katër apo pesë programe që paraqet bashkia apo Kryetari i Bashkisë, por projektet e detajuara që ne do të financojmë gjatë vitit që vjen. Kjo është transparencë e rëndësishme sepse ju ofron të gjithëve, duke nisur nga qytetarët mundësinë për të parë se ku shkojnë paratë e taksapaguesve dhe si po  përdoren ato. Në tërësi, buxheti që është 70 milionë dollarë parashikon një trefishim të investimeve në krahasim me vitin më të mirë të investimeve publike të Bashkisë së Tiranës, si dhe mbështetje të mjaftueshme financiare për të gjitha zërat e tjerë në veçanti për infrastrukturën sociale dhe mbështetjen sociale. Buxheti mbështet përpjekjen tonë për të kanalizuar më shumë fonde tek investimet dhe më pak shpenzime për administratën” tha Basha.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha bëri të ditur edhe projektet konkrete në njësinë bashkiake numër 7, që mbështeten nga projekt buxheti ndër të cilat rrugë çerdhe, kopshte, shkolla, Qendra sociale etj.

“Për njësinë bashkiake nr. 7 në projekt-buxhetin 2012 planifikohen disa investime kapitale siç është rikonstruksioni i rrugës Mic Sokoli, rikonstruksioni i rrugës Preng Jakova, rikonstruksioni i rrugës dytësore rikonstruksioni i kopshti 17 në rrugën Myslym Shyri, çerdhja 47 në Myslym Shyri, çerdhja nr 35 në rrugën Frederik Shikora, dhe një projekt që do ta konsideroja të rëndësishëm për këtë njësi bashkiake, që është rikualifikimi urban i bllokut tek Dogana. Rikualifikim urban do të thotë ndërhyrje e gjithanshme nga nëntoka deri tek trotuaret, ndriçimi, gjelbërimi, duke përfshirë shtrimin e rrugëve e gjithçka tjetër si dhe infrastrukturë sociale, me ndërtimin dhe rindërtimin e shkollave” tha Basha.