Prishtinë-I ngarkuari me punë pranë Ambasadës së SHBA në Kosovë, Michael Murphy, tha të hënën, në një aktivitet të organizuar në Kishën e Shën Nikollës në Prishtinë, se SHBA është e interesuar për të ruajtur trashëgiminë kulturore të serbëve, shqiptarëve, hebrenjve dhe popujve anekënd botës.
Duke përshendetur pjesëmarrësit në ceremoninë e organizuar në këtë kishë për të kremtuar partneritetin ndërmjet Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, Kishës dhe Shteteve të Bashkuara, Michael Murphy tha se ky objekt është një vend takimi për banorët e qytetit për t’u takuar dhe ndenjur sëbashku.
“Dhe mendoj se është një kohë e mrekullueshme e vitit kur mund ta festojmë këtë sepse është pikërisht në prag të Krishtlindjeve, si atyre katolike, po ashtu edhe atyre ortodokse”, tha Michael Murphy.
Në përgjigje të pyetjes për komentet e disa drejtuesve serbë në Beograd, që e kanë cilësuar marrëveshjen e mirëkuptimit të nënshkruar ditët e fundit ndërmjet Sekretares së Shtetit, Clinton dhe Presidentes së Kosovës, Jahjaga, për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë, si një përpjekje për të falsifikuar historinë serbe në Kosovë, Michael Murphy tha se marrëveshja e nënshkruar ndërmjet Sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Klinton dhe Presidentes kosovare, Atifete Jahjaga, është e mirëpritur.
“Ne kemi 24 marrëveshje të tilla me vendet anekënd botës, përfshirë edhe Serbinë. Dhe mendoj se është për të ardhur keq dhe ndoshta edhe pak cinike që dikush ka zgjedhur të bërë lojëra politike me gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të marrë pjesë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe për të sugjeruar që Shtetet e Bashkuara kanë ndonjë interes në falsifikimin ose vjedhjen e historisë së dikujt. Ne jemi të interesuar që të ruajmë trashëgiminë kulturore të serbëve, shqiptarëve, hebrenjve dhe popujve anekënd botës”, tha Myrphy.
Ai tha se ndjehet krenar për rolin që Shtetet e Bashkuara kanë luajtur në ruajtjen e monumenteve të mëdha ortodokse serbe në këtë vend, përfshirë Graçanicën, Deçanin, Pejën dhe të tjerat.
Tuesday, 20 December 2011 09:00