Lajme Shqip Monday, 19 December 2011 19:00

Tiranë – Problemi i fëmijëve që shfrytëzohen për lypje apo për punë të tjera të rëndomta, është kthyer në vëmendjen e Bashkisë së Tiranës, e cila do t’i bashkohet zbatimit të masave kundër këtij fenomeni në nivel lokal.

Për këtë, Bashkia e Tiranës po punon me Ministrinë e Brendshme për identifikimin e familjeve në nevojë dhe ngritjen e databazës me të dhëna konkrete për 11 minibashkitë e kryeqytetit.

“Jemi të vendosur për të përmbushur detyrimet tona, që rrjedhin nga legjislacioni aktual për të drejtat e fëmijëve, por edhe nga legjislacionin që lidhet me fëmijët objekt të trafikimit’, u shpreh nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku.

Bashkia e Tiranës në partneritet me organizatën “Save the Children” organizoi sot një takim teknik për fëmijët në situatë rruge, me qëllim nxitjen e zbatimit efektiv të politikave të bashkërenduara me strukturat publike qendrore dhe lokale.

Në planin e vitit 2012, tha Tabaku, Bashkia ka përgatitur aktivitete konkret për të ofruar mundësi të barabarta  për njerëzit në nevojë, veçanërisht për fëmijët e kësaj kategorie. “Këto masa fokusohen në ofrimin e mbrojtjes sociale, programet e strehimit që mbështeten konkretisht në buxhetin e vitit të ardhshëm,ku  targetohen ato familje që kanë një situatë ekonomike më të rënduar”.

Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me organizata ndërkombëtare dhe donatorë, do të realizojë identifikimin e zonave më problematike.

“Për fëmiljët në nevojë  do të ngrihen qëndra ditore”, shtoi Tabaku, sipas të cilës Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me “Save the children”, ka hapur një qendër të tillë në njësinë bashkiake nr. 9, ku marrin shërbim një numër i konsiderueshëm fëmijësh që punojnë dhe jetojnë në situatë rruge.

Sipas një studimi të kryer nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për shkaqet që favorizojnë analfabetizmin në vendin tonë, në bashkëpunim me UNICEF dhe shoqatën “Save the Children”, braktisja e shkollës, për shkak të punës që kryejnë fëmijët, është më e hasur në komunitetin rom dhe atë egjiptian. Nga studimi rezultoi se fëmijët romë që punojnë i përkasin moshës 3-16 vjeç dhe përbëjnë rreth 4654 fëmijë.