Tiranë- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, konfirmoi të henën se “sistemi bankar në vend është i qëndrueshëm dhe i shëndetshëm dhe nuk rrezikohet nga kriza e vendeve të rajonit”.
Gjatë një takimi në Tiranë me përfaqësues të mediave si dhe të ftuar të tjerë që operojnë në sistemin bankar, Fullani tha se politikat fiskale ndihmuan në mbështetjen e aktivitetit ekonomik gjatë vitit 2011, ndërkohë që inflacioni shënoi nivelin 2-3% brenda parashikimeve të BSH-së.
Politika monetare, tha Fullani, do të vijojë të jetë e kujdesshme dhe do të krijojë stimuj për përmbushjen e objektivit të Bankës Qendrore për ruajtjen e inflacionit dhe nxitjen e kreditimit. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë këshillon shqiptarët të ruhen nga spekulimet në kursin e këmbimit.
“Individët duhet të këshillohen me bankat para se të ndërmarrin veprime të nxituara, si ato që lëkundën kursin e këmbimit mes euros dhe lekut në ditët e para të Dhjetorit”, tha ai.
Në fjalën e tij, Fullani theksoi se objektivi i Bankës së Shqipërisë është për të mbajtur nën kontroll inflacionin dhe për të ruajtur stabilitetin ekonomik të vendit. “Ne do të vijojmë me standardet më të mira. Ne jemi të ndërgjegjshëm për misionin tonë. Objektivi ynë është të ruajmë stabilitetin makro-ekonomik”, tha më tej Fullani.
Nga ana e tij ministri i Financave, Ridvan Bode, i pranishëm në këtë takim, vlerësoi të gjithë ish-anëtarët e bordit mbikëqyrës të BSH-së që, sipas tij, me anë të politikave të ndërmarra, bënë të mundur që vendi ynë të kapërcejë krizën ekonomike globale.”
Ne kapëcyem me sukses goditjet e para të krizës pasi patëm një sistem ekonomik të qëndrueshëm si dhe nga politika e ndjekur nga Banka e Shqipërisë. BSH-ja duhet të përmbushë objektivin më kryesor, atë të rritjes ekonomike” ka theksuar Bode.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, së bashku me Ministrin e Financave dhe Rektorin e Universitetit të Tiranës, dorëzuan edhe çmimet e konkursit vjetor për punimet më të mira të diplomave.
Monday, 19 December 2011 16:45