Lajme Shqip Monday, 19 December 2011 16:15

Prishtinë – Gjendja e sigurisë në veri mbetet e pandryshueshme, si pasojë e barrikadave nëpër rrugët magjistrale, u tha sot, në takimin e Komitetit të Sigurisë në Mitrovicë.

Nënkryetari i komunës, Riza Haziri, tha se, “është pritur që pas marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për menaxhimin e integruar të kufirit, barrikadat në veri të hiqen”.

“Barrikadat në rrugët e veriut, duke përfshirë edhe pjesën urbane të qytetit të Mitrovicës kanë mbetur. Si pasojë qytetarët kanë probleme të mëdha për lëvizje të lirë”, theksoi ai.

Sipas tij, gjendja më e rëndë mbetet në fshatrat shqiptare të  komunës së Leposaviqit, ku që nga bllokimi i rrugës magjistrale drejt Mitrovicës udhëtojnë nëpër një rrugë malore, e cila sa herë përkeqësohet moti bëhet e pakalueshme.

“Nëse gjendja vazhdon të mos ndryshojë, atëherë ata banorë gjatë stinës së dimrit do të mbeten tërësisht të bllokuar”, tha Haziri.

Ndërsa drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, përmendi si shqetësim për banorët në veri të shtënat e shpeshta me armë zjarri.

Ai kërkoi nga strukturat e sigurisë që të ndërmarrin masa dhe të parandalojnë grupet që po shqetësojnë qytetarët.