Tiranë – “Ndërtimi i sistemit për informimin gjeografik (GIS) është një bazë e mirë për një gjeodezi dhe hartografi moderne të kohës”, tha ditën e hënë, Ministri i Inovacionit, Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (MITIK), Genc Pollo.
Gjatë Konferencës Kombëtare që u zhvillua sot në Tiranë, ku u prezantua Dokumenti i Politikave për krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të të Dhënave Hapësinore (NSDI), si dhe projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të të dhënave gjeo-hapësinore në Republikën e Shqipërisë”, Pollo tha se “ky sistem është jashtëzakonisht i nevojshëm për të pasur një bazë ligjore standarde zyrtare, si dhe sisteme matëse, në mënyrë që gjithçka që është në terren, të ketë pasqyrimin e duhur në hartë, apo në paraqitjet e tjera tredimensionale”.
Sistemet GIS po përdoren sot në fusha nga më të ndryshmet, si hartografimi i një territori të caktuar, menaxhimi i resurseve të ndryshme në planifikimin rajonal e territorial, etj., dhe po kthehet gjithnjë e më shumë në një mjet shumë eficient në vendimmarrje, për shkak të të dhënave të sakta të modelimit hapësinor të një fenomeni fizik apo shoqëror, që ky sistem ofron.
Baza unike hartografike që pritet të ndërtohet në vend, nisur dhe nga standardet evropiane, do të shërbejë për krijimin e GIS-eve në fushat e bujqësisë, kadastrës, planifikimit të territorit, gjeologjisë, mjedisit, turizmit etj, por edhe për përdorime të tjera të karakterit projektues dhe zbatues në vepra të ndryshme inxhinierike.
Monday, 19 December 2011 16:00