Presidenti Bamir Topi i ka dërguar një mesazh ngushëllimi homologut të tij çek, Vaslav Klaus, për humbjen e ish-presidentit të parë postkomunist të Çekosllovakisë dhe më pas të Çekisë, Vaslav Havelit.
Zyra e shtypit e presidencës bëri të ditur se në mesazhin e ngushëllimit, kreu i shtetit thekson se “emri i shkrimtarit disident, aktivistit për të drejtat e njeriut, politikanit Havel do të mbetet jo vetëm në kujtesën e popullit çek, por edhe të historisë botërore si modeli i një lidershipi vizionar, të moderuar dhe të aftë të ndryshojë sisteme të ngurta, totalitare e të centralizuara përmes besimit tek demokracia dhe vlerat më të shenjta të lirisë, duke u kthyer kështu në një burim frymëzimi dhe referimi në ato vite tepër të rëndësishme të fundshekullit të XX”.
Presidenti Topi nënvizon se “me një imazh të tillë, Vaslav Haveli do të kujtohet gjithnjë dhe nga shqiptarët, një popull, i cili ka dalë nga izolimi më i thellë dhe dramatik në Evropën Lindore, por që sot po ndërton dhe konsolidon demokracinë dhe aspiron integrimin në familjen e madhe evropiane”.
“Ju lutem pranoni zoti President, ndjenjat e mbështetjes e solidaritetit të sinqertë të popullit shqiptar në këto momente të rënda hidhërimi për mbarë kombin tuaj”, përfundon mesazhi ngushëllues i Kreut të Shtetit shqiptar drejtuar Presidentit çek, Klaus.
Monday, 19 December 2011 10:30