Lajme Shqip Monday, 19 December 2011 09:20

Tel Aviv – Izraeli mbrëmë liroi 550 të burgosur palestinezë në kuadër të fazës së dytë finale të marrëveshjes për këmbim me Hamasin, në bazë të së cilës në fazën e parë në tetor në shtëpi u kthye ushtari i rrëmbyer izraelit Gilad Shalit, pas më shumë se pesë viteve të kaluara në robëri në Rripin i Gazës.

Autobusët me të burgosurit palestinezë e kaluan pikën kontrolluese në Bregun Perëndimor mbrëmë rreth orës 21 sipas kohës së mesme evropiane. Disa karvanë të autobusëve të shërbimit të burgut, të shoqëruara nga pjesëtarë të policisë, me të burgosurit arritën paraprakisht në vendkalimet kufitare drejt atij territori në Rripin e Gazës.

Të burgosurit gjatë disa ditëve të shkuara janë zhvendosur në burgun Ajalon në Izraelin qendror.

Askush nga të burgosurit e liruar dje, në mesin e të cilëve edhe gjashtë gra, nuk është dënuar me dënim të përjetshëm me burg, as për vrasje. Shumica prej tyre edhe ashtu së shpejti do të liroheshin për dallim nga 477 të burgosurit e liruar në fazën e parë, prej të cilëve disa kanë shërbyer burg të përjetshëm për shkak të sulmeve terroriste.

Shumica e të burgosurve, gjegjësisht 505 janë liruar në Bregun perëndimor përmes vendkalimit kufitar Beitunia, ku janë grumbulluar qindra palestinezë, të cilët i prisnin të afërmit e tyre. Dyzet e një të burgosur janë liruar në vendkalimin kufitar Karem Shalom drejt Rripit të Gazës. Dy janë liruar nga Jerusalemi lindor, ndërsa dy nga Jordani, kështu që ata kanë kaluar përmes vendkalimit kufitar në urën Albeni drejt këtij vendi.