Prishtinë-Kancelarja gjermane, Angela Merkel viziton sot Kosovën, ku pritet të japë mesazhe të rëndësishme lidhur me dialogun Prishtinë-Beograd dhe integrimin evropian të Kosovës.
Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi e ka cilësuar vizitën e saj si një mbështetje të fuqishme për Republikën e Kosovës. Edhe analistët polikë vizitën e kancelares gjermane e shohin si shumë domethënëse.
Ndërkohë Qeveria e Kosovës ka vendosur të presë në mënyrë madhështore kancelaren gjermane Angela Merkel. Pjesë e axhendës së parashikuar për pritjen e saj janë Garda e Ceremonive, billbordat dhe flamujt gjermanë nëpër qytet.
Kështu me të arritur në Prishtinë kancelarja Merkel në shenjë respekti do të pritet në Aeroport me Gardën e Ceremonive të FSK-së, ku dhe do të pritet nga vetë kryeministri Thaçi me të cilin do të ketë një takim rreth orës 11:30 dhe më pas edhe një konferencë të përbashkët për media.
Më tej Merkel do të takojë ushtarët gjermanë që shërbejnë në kuadër të KFOR-it, ndërsa takime të ndara do të zhvillojë edhe me komandantin e KFOR-it, Erhard Dresws, kreun e EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac dhe përfaqësuesin e BE-së Fernando Gentilini.
Është parashikuar gjithashtu që përgjatë rrugëve ku do të kalojë Merkel, nxënës të shkollave fillore me flamuj të Kosovës dhe Gjermanisë do të mirëpresin kancelarin në shenjë falënderimi për ndihmën ndaj Kosovës.
Vizita e kancelares Merkel është konfirmuar dy ditë më parë nga vetë zëdhënësi i saj, Steffen Seibert.
Në samitin e fundit të shefave të shteteve të BE-së, kancelarja gjermane Merkel ishte më e vendosura për refuzimin e kërkesës së Serbisë për marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE.
Monday, 19 December 2011 08:45