Lajme Shqip Monday, 19 December 2011 07:30

Shkup- “Kemi një prej sistemeve më të shëndosha bankare në Evropë, banka të cilat janë kryesisht stabile dhe nuk u ekspozohen rreziqeve të cilave u ekspozohen disa banka në Evropë, banka të cilat janë nën mbikëqyrje të shkëlqyeshme nga Banka Qendrore dhe të cilat i përmbushin standardet që garantojnë se në Maqedoni nuk mund të vijë çfarëdo lloj krize e cila do të ndikojë në sektorin bankar”.

Këtë e vlerësoi dje kryeministri Nikolla Gruevski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për gatishmërinë e sektorit bankar lidhur me krizën në eurozonë, pas lëshimit në përdorim të rrugës Zelenikovë – Novosellë.

Sipas Gruevskit, e vetmja gjë që mund të ndjehet në Maqedoni dhe me siguri do të ndjehet është goditja nga kriza evropiane në sektorin real, gjegjësisht në zvogëlimin e eksportit të prodhimtarisë dhe BPV-në.

Por, theksoi, sa i përker sektorit bankar mund të them se depozitat e qytetarëve edhe mëtej po rriten, standardet në veprimtarinë bankare janë tërësisht të zbatueshme, Banka Qendrore ka zhvilluar supervizion të shkëlqyeshëm, ndërsa stabiliteti i denarit është i sigurtë.

“Para disa viteve e sollëm ligjin me të cilin garantohen kursimet e qytetarëve deri në 30.000 euro, që është garanci shtesë për çdo qytetar. Kush dëshiron të kursejë në çdo bankë ka garanci për kursim deri 30.000 euro, kështu që mund të them se në një gjendje relativisht të relaksuar e presim këtë krizë në lidhje me sektorin bankar”- tha kryeministri Gruevski.

Ai njoftoi se para ca kohësh në takim me guvernatorin e Bankës Qendrore, i ka dëgjuar të gjitha parametrat, të cilat shumë me kujdes janë drejtuar drejt rreziqeve të cilat vijnë nga Evropa.

“Sipas të gjitha të dhënave të cilat i marrim dhe sipas informacioneve të cilat na u dorëzuan nga Këshilli ekonomik në të cilën i ftuam edhe përfaqësuesit e bankave komerciale, por edhe përfaqësuesit e odave ekonomike që ata të dëgjojnë rreth të dhënave që të mund të japin koment dhe të shtrojnë pyetje dhe bashkërisht u konstatua se sektori bankar në Maqedoni është përafërsisht i fuqishëm dhe i sigurt në raport me rreziqet të cilat janë krijuar në eurozonë”, theksoi Gruevski.

Nga aspekti i politikave makroekonomike Gruevski theksoi se Republika e Maqedonisë është në grupin e shteteve të cilat janë në gjendje më stabile dhe më të sigurt. (LajmeShqip.com)