Hradeçek-Ka ndërruar jetë në moshën 75 vjeçare, Vaclav Havel, presidenti i parë i Republikës Çeke pas Revolucionit të Kadifenjtë kundër regjimit komunist.
Dramaturgu disident ishte frymëzuesi i “Kartës 77”, i njohur si manifesti për të drejtat e njeriut.
Lajmi I vdekjes së tij u dha nga sekretarja e tij Sabina Tancecova e cila tha se Havel vdiq sot në mëngjes në shtëpinë në fshatin Hradeçek, në Boheminë veriore pas një sëmundje të gjatë.
Laureati i çmimit Nobel për Paqe, dhe heroi i Revolucionit të Kadifenjtë, që i dha shtetit pavarësinë në vititn 1989, ka shërbyer si president nga viti 1989 deri më 2003.
Disidenti çek, për opinionin kosovar njihet si mbështetës i madh i pavarësisë dhe si një nga figurat botërore që bëri thirrje të ndalej dhuna e regjimit serb në Kosovë në fund të viteve ’90-të.
Për kontributin e tij për Kosovën, Havel është nderuar me “Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm – Dr. Ibrahim Rugova”, që është ndarë nga ish-presidenti, Fatmir Sejdiu.
Së fundi, gjatë një takimi të mbajtur në muajin tetor me presidenten Atifete Jahjaga në kuadër të konferencës “Demokracia dhe Sundimi i Ligjit”, ish-presidenti çek, Vaclav Havel, pati shprehur mbështetjen për proceset integruese të Kosovës.
Vaclav Havel lidi më 5 tetor në një familje të pasur. Komunistët që erdhën në pushtet pas një grusht shteti në vitin 1948 konfiskuan shumicën e pronave të familjes dhe kryesisht ia ndaluan shkollimin e lartë Havelit.
Pas shërbimit ushtarak, ai lëvizi drejt teatrit, fillimisht si punëtor skene dhe pastaj në vitet 1960-ta duke shkruar drama që merreshin shpesh me absurditetet e jetës nën komunizëm.
Më 1976, ai u bë bashkautor i Kapitullit 77, një peticion që bënte thirrje qeverisë komuniste për të respektuar traktatet ndërkombëtare për të drejtat civile të cilat i kishte nënshkruar vetë. Nënshkruesit e Kapitullit u përndjekën, Haveli u dënua me 3 vjet e gjysmë burg.
Më 1989 shtetet e bllokut komunist të Evropës Lindore ishin në prag të ndryshimeve kaotike. Në shtator të atij viti, mijëra gjermano-lindorë filluan të derdheshin në kryeqytetin çek në përpjekje për të ikur në perëndim. Dy muaj më vonë, u rrëzua Muri i Berlinit.
Më 17 nëntor, policia ndërmori aksion kundër një proteste të studentëve në Pragë. Ajo u përcjell me simpatinë e publikut, që më vone u njoh si Revolucioni i Kadifenjtë. Haveli ishte figura kryesore në atë revolucion, si njëri nga themeluesit e grupit opozitar Forumi Civil.
Ndërsa, regjimi komunist po shembej shpejt, Haveli nisi fushatën për zgjedhjet presidenciale më 10 dhjetor- Ditën ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.
Havel u zgjodh president më 29 dhjetor të vitit 1989, më pak se gjashtë javë pas demonstratave te para masive që bënin thirrje për ndryshime.
Pas rizgjedhjes në vitin 1990, Haveli ka kaluar shumicën e kohës duke u përpjekur që të ruajë federatën çekosllovake nga ndarja, pas kërkesave për autonomi të nacionalistëve sllovakë.
Ai dështoi ta ruante dhe dha dorëheqje më 1992. Por, pas të ashtuquajturit Divorcit të Kadifenjtë, ai u rizgjodh president i Republikës së pavarur Çeke më 1993 dhe sërish më 1998.
Në kohën kur Haveli doli në pension në vitin 2003, Çekia ishte bërë anëtare e NATO-s dhe ishte në prag të anëtarësimit në BE.
Përgjatë jetës së tij publike, Havel bëri thirrje për një “shoqëri civile” që ndërtohej mbi ndershmërinë dhe humanizmin.
Haveli mbikëqyri traniziconin paqësor të shtetit të tij drejt demokracisë dhe e udhëzoi atë në fillesat kritike, duke ia rigjetur vendin çekëve në familjet e kombeve perëndimore.
Sunday, 18 December 2011 18:09