Lajme Shqip Saturday, 17 December 2011 15:08

Prishtinë-Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës thonë se ndihma ruse për banorët serbë të veriut të Kosovës, nuk kanë të bëjnë me ndihma humanitare, por ato do të shërbejnë për përforcimin e barrikadave të vendosura nga serbët lokal.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi deklaroi për radion Evropa e Lirë se përmbajtja e ndihmave tregon se për ku janë të destinuara ato.

“Ky ka qenë një vendim politik i tyre për arsye se krizë humanitare në veri nuk ka. Vet përmbajtja e atyre ndihmave si: tenda, gjenerator dhe stufa,  kanë pasur për qëllimin më shumë t’ju ndihmojnë atyre strukturave ilegale, që të krijojnë kushte për të qëndruar në barrikada. Aty kam dëgjuar që ka edhe ushqim të konservuar”, deklaroi Rexhepi.

Ministri i Rexhepi tha po ashtu se sikur ndihmat të kishin karakter humanitar, do të shpërndaheshin edhe në vendet e tjera të Kosovës, ku ka banorë serbë.

Konvoji me ndihma ruse pasi qëndroi për katër ditë në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë arriti të futet dje në territorin e Kosovës i shoqëruar nga EULEX dhe Policia e Kosovës pas një kompromisi të arritur mbi mënyrën e shoqërimit të tij, me ndërhyrjen edhe të Komisionit Europian.