Prishtinë- Lideri i LDK-së, Isa Mustafa ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi. Ai e ka quajtur diktaturë modelin e qeverisjes së Thaçit, që sipas tij ka instaluar shtetin policor në Kosovë.
Akuzat e kreut të LDK-së vijnë pas kritikave të Thaçit se modeli i qeverisjes së Komunës së Prishtinës është më i keqi në Evropë.
Pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së me kryetarët e degëve të kësaj partie, kreu i kryeqytetit dhe i LDK-së ka thënë se shefi i Qeverisë nuk merr erë fare dhe nuk di se si qeveriset në vendet e Evropës. Mustafa po ashtu ka adresuar kritika për veriun e vendit, duke deklaruar se Qeveria nuk ka bërë asgjë për veriun dhe krejt këtë çështje ia ka lënë në dorë KFOR-it.
“Sunduesi dhe shteti policor asgjë nuk dallojnë nga diktatura sepse në qoftë se me çdo kusht do të vihet kontroll i plotë mbi mediat; në qoftë se me çdo kusht do të vihet kontroll i plotë mbi kompanitë publike dhe këto kompani punojnë në interes të partisë në pushtet, atëherë asgjë tjetër nuk kemi pos një diktaturë”, ka thënë Mustafa në një prononcim për KTV.
Duke iu kundërpërgjigjur kualifikimit të Kryeministrit se Prishtina është modeli më i keq në Europë, Lideri i LDK’së ka thënë se Hashim Thaçi s`ka njohuri për modelet e qeverisjes evropiane.
“Unë dyshoj se z. Thaci di çka është qeverisje, së paku qeverisja evropiane sepse ka shumë pak dije dhe njohuri për një qeverisje të tillë. Z. Thaçi mundet me dit çka është sundimi sepse krejt mekanizmin dhe modelin e qeverisjes së tij e ka të sundimit. Në qoftë se ky është modeli i Hashim Thaçit, Prishtina është e kundërta e këtij modeli”, ka deklaruar Mustafa.
Deklaratat e kundërshtarit politik, Lideri i LDK’së thotë se i ka parë si fjalë që vijnë nga frika se kjo qeveri do të merr fund në vitin 2012. Sipas tij, me shumë gjasa vitin e ardhshëm do të bjerë Qeveria Thaçi II.
“Këto i thotë nga frika dhe sikleti që po e sheh se një qeverisje tmerrësisht e keqe, një qeverisje shumë e dëmshme për këtë vend po i vjen fundit dhe duhet të përfundojë sa më shpejt. Dyshoj shumë se kjo qeverisje mund të qëndrojë deri më 2013 dhe kjo qeveri mund të përfundojë vitin e ardhshëm”, ka thënë ai.
Dy kundërshtarët politikë, Thaçi dhe Mustafa kanë pasur disa takime kohëve të fundit, në të cilat sipas kreut të Qeverisë, është folur për veriun.
PDK dhe LDK kanë akuzuar vazhdimisht njëra –tjetrën, pavarësisht se në muajin prill të këtij viti Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi u bënë pjesë e marrëveshjes për zgjedhjen e Presidentit dhe tejkalimin e krizës politike.
Përpos të deklaratave Liderit të LDK’së ka reaguar edhe Komuna e Prishtinës. Nëpërmjet një njoftimi për media, udhëheqësit e kryeqytetit kanë kërkuar nga Kryeministri Thaçi t`i kthejë sytë kah Qeveria, të cilën e udhëheq dhe të luftojë korrupsionin.
Në këtë reagim thuhet se Qeveria e ka braktisur kryeqytetin prej vitit 2008, në kohën kur në koalicion qeveritar ka qenë edhe LDK’ja.
Zyrtarët komunalë i kanë bërë ftesë publike Kryeministrit të vizitojë liderin e LDK’së në objektin e Komunës së Prishtinës, të cilën e udhëheq prej vitit 2007.
Saturday, 17 December 2011 12:19