Lajme Shqip Saturday, 17 December 2011 11:13

Uashington-E vetmja zgjidhje për veriun e vendit është sundimi i ligjit. Ka qënë kjo deklarata e presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga gjatë një interviste për “Reuters” bërë që nga Uashingtoni, ku në vizitën e saj të parë në SHBA. Jahjaga tha se barrikadat në veri duhet të hiqen për të mirën e të gjithëve. 

“Barrikadat duhen hequr sepse vetëm në këtë mënyrë do të bëjmë të mundur lirinë e lëvizjes së njerëzve, të mirave materiale dhe të çdo gjëje tjetër që është e nevojshme për qytetarët në atë pjesë të Kosovës”-tha Jahjaga.

Për më shumë se një dekadë, forcat e NATO-s kanë ndihmuar në ruajtjen e sigurisë në Kosovë, dhe siç tha dhe presidentja Jahjaga, prania e tyre do të jetë e nevojshme për disa kohë.

“Pavarësisht suksesit të përbashkët në stabilizimin e Kosovës, ne ende përballemi me sfida për sigurinë e rajonit dhe prania e NATO-s është e domosdoshme. Dhe prania e forcave të Aleancës mbetet kritike për momentin, jo vetëm për Kosovën por për të gjithë rajonit”-vijoi presidentja.  

Gjatë qëndrimit të saj në SHBA, Jahjaga morri sërish mbështetjen e qeverisë amerikane për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Presidentja Jahjaga, ka zhvilluar të premten një numër takimesh me zyrtarë të lartë në SHBA-së në Uashington. Ajo takoi fillimisht nën-sekretaren amerikane të mbrojtjes, Michele Flournoy, me të cilën ka diskutuar çështjet e bashkëpunimit të ndërsjellë.

Gjatë ditës Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga u takua edhe me drejtorin e Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), Robert Mueller. Në këtë takim u diskutua për modalitetet e bashkëpunimit në luftimin kundër e krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit ndërkombëtar.

Jahjaga u takua edhe me senatorin e SHBA-së, Mark Kirk dhe senatorin Ross Johnson. Në takim u bisedua për vazhdimin e mbështetjes amerikane për Kosovën, në veçanti përmes pranisë ushtarake. (LajmeShqip.com)