Lajme Shqip Saturday, 17 December 2011 10:06

Durrës-Moti i keq dhe me furtunë ka sjellë probleme në dy portet kryesore të Shqipërisë, atë të Durrësit dhe të Vlorës. 

Në Durrës, fuqia e detit 5-6 balle ka shkaktuar vonesa deri në 6 orë në mbërritjen e trageteve. Vonesa ka patur edhe në tragetin e linjës Vlorë-Brindizi.

Era e fortë në Vlore ka bërë që një pjesë e qytetit të mbetet pa energji elektrike dhe ujë të pijshëm.

Kushtet atmosferike në gjirin detar të Durrësit sot parashikohet të jenë të paqëndrueshme, siç bëjnë të ditur burime zyrtare nga kapiteneria e portit, ndërsa gjatë natës së kaluar ka vazhduar era e fortë me shpejtësi 10-12 metra në sekondë.

Gjatë ditës së sotme priten reshje shiu, që mund të qetësojnë erën e fortë të 48 orëve të fundit, e cila fryn kryesisht me drejtim nga jugu.

Temperaturat e ajrit  në mesditë pritet të arrijnë vlerat maksimale 13-14 gradë celcius. Valëzimi brenda gjirit të Durrësit parashikohet të ketë  forcën 3, ndërsa në det të hapur nga 5-6 ballë.

Tragetet e linjës Bari  – Durrës do të mbërrijnë në portin detar me disa orë vonesë për shkak të detit të trazuar, ndërsa në kalatat portuale proçesi i përpunimit të anijeve tregtare me mallra ushqimore nuk ka nisur nga era e fortë. (LajmeShqip.com)