Gjirokastër – Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani u shpreh dje nga Pika e Kalimit Kufitar të Kakavijës, se “falë liberalizimit të vizave është ulur afër zeros numri i trafiqeve të qenieve njerëzore”.
Gjatë inspektimit që ai bëri në këtë pikë kufitare, Nishani vlerësoi profesionalizmin e Policisë Kufitare për ruajtjen integrale të kufirit.
“Ajo po lufton fortë ndaj trafikantëve të lëndëve narkotike, të cilët tentojnë të kapërcejnë vijën e gjelbër në mënyrë të paligjshme”, tha Nishani ndërsa bëri të ditur se gjatë këtij viti, në qarkun e Gjirokastrës janë identifikuar 44 raste për tentativë të lëndëve narkotike.
Kreu i ministrisë së Brendshme vuri në dukje gjithashtu se këtë vit është rritur edhe numri i shtetasve të huaj, të cilët tentojnë të hyjnë në Shqipëri në mënyrë ilegale.
“Policia kufitare ka marrë të gjitha masat për të parandaluar këtë fenomen dhe Qeveria shqiptare po bashkëpunon ngushtë me autoritetet greke dhe turke për kthimin në vendlindje të të gjithë emigrantëve arabë dhe afrikanë “, nënvizoi ai.
Gjatë vizitës së tij , ministri i Brendshëm Bujar Nishani, i shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, si dhe nga prefektja e qarkut të Gjirokastrës, Mimoza Çomo, vizituan familjen e ish shefit të komisariatit të Përmetit, Nuri Kërcani, i cili katër ditë më parë humbi jetën aksidentalisht, së bashku me oficerin e krimit, Petrit Lata, teksa po ktheheshin nga shërbimi.
Saturday, 17 December 2011 10:00