Prishtinë-Misioni i OSBE-së trajnon Policinë e Kosovës për kontrollin e turmave dhe trazirave në përputhje me të drejtat e njeriut.
Ceremonia e diplomimit të 35 pjesëtarëve të policisë, të cilët kanë ndjekur një trajnim dy-javor, u mbajt sot në qytetin e Vushtrrisë.
Trajnimi ka pasur për qëllim që të përmirësojë aftësitë e Policisë së Kosovës për t’iu përgjigjur trazirave dhe demonstratave të mundshme, duke qenë në harmoni me të drejtat e njeriut. Po ashtu, është fokusuar në negociatat dhe teknikat e zgjidhjes së problemit, planifikimin rezervë si dhe në marrëdhënie dhe publikun.
“Ky trajnim ka pasur për qëllim shtimin e harmonisë me të drejtat e njeriut të njësive të policisë së Kosovës që merren me situata të turmave dhe trazirave. Ai është kërkuar nga Policia e Kosovës dhe tregon përkushtimin për përforcim të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të individëve dhe komuniteteve”, tha zv/shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Edward P. Joseph.
Trajnimi ishte përgatitur në bazë të procedurave të policisë ekzistuese, të plotësuara me ekspertizat e Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Europian, dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. (LajmeShqip.com)
Saturday, 17 December 2011 09:00