Bruksel-Burimet e Komisionit Evropian në Bruksel kanë konfirmuar të premten se dialogu për liberalizim të vizave me Kosovën, do të filloj në 19 janar të vitit të ardhshëm.
Kjo datë i është propozuar ministrit të Brendshëm të Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi, nga ana e komisionares për çështje të brendshme, Cecilia Malmstrom, raporton Radio Europa e Lirë.
Komisioni Evropian në këtë mënyrë ka vlerësuar se autoritetet e Kosovës kanë bërë një përparim të kënaqshëm për nisjen e dialogut, por gjatë procesit do të identifikohen edhe kushtet e tjera, që Kosova duhet t’i plotësoj për arritjen e synimit për liberalizim të vizave me Bashkimin Evropian.
Aktualisht, nga vendet e rajonit, vetëm Kosova nuk është e përfshirë në regjimin e udhëtimit pa viza për në zonën Shengen të Bashkimit Evropian.
Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar disa herë se kanë përmbushur kushtet për fillim të dialogut dhe se tani presin vetëm udhërrëfyesin nga Brukseli.
Edhe autoritetet në Prishtinë kanë përsëritur shpesh ditët e fundit se dialogu për liberalizimin e vizave do të nisë në fillim të vitit të ardhshëm.
Friday, 16 December 2011 21:40