Përjashtim nga Partia Socialiste për Kastriot Islamin. Ky ka qenë propozimi i parë politik i dhënë nga kryesia e PS-së e mbledhur për herë të parë pas zgjedhjes së saj më 3 dhjetor.
Propozimi për ç’regjistrim nga grupi parlamentar i PS-së ka ardhur nga kryetari i kësaj partie Edi Rama, por vendimin përfundimtar do ta marrë grupi parlamentar pasi arsyeja e përjashtimit ka të bëjë me thyerjen e vendimeve politike të grupit.
Bëhet fjalë për qëndrimin dhe votimin e tij të fundit në Kuvend për kreun e ri të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Islami nuk ka marrë pjesë në votimin e Bujar Leskajt edhe pse vendimi i grupit të PS-së ka qenë që të votohet kundër kësaj kandidature. Mosmarrja pjesë në votim i ka humbur disa vota kundër opozitës ndërkohë që vetë mazhoranca nuk ishte solide pasi kishte vetëm 69 vota gjithsej.
Por gjithsesi përjashtimi i Islamit ka ardhur dhe si pasojë e qëndrimeve të tij të vazhdueshme kundër PS-së në media dhe në Kuvend. Ndërkohë vetë Islami ka bërë një deklaratë publike në rrjetin social FB ku justifikon veprimin e tij.
“Ripërsëris qendrimin parimor lidhur me vendimet e PS per emerimet ne institucionet kushtetuese, qendrim qe nuk ka te beje me individe te caktuar dhe as me kete apo ate rast konkret.
Sigurisht qe ky qendrim merr shkas nga vendimi i fundit per kryetarin e KLSH. Ky qendrim nuk do te thote as te votohet pro, as kunder dhe as abstenim ne kete apo ate rast por te percaktohen qendrime parimore qe e vendosin opoziten ne kontrast me shumicen lidhur me qendrimin ndaj shtetit ligjor”, thotë Islami.
Majko drejt OKB-së…
Pandeli Majko, dy herë kryeministër i Partisë Socialiste dhe një herë kandidat për kryetar i saj, ka vendosur t’i japë fund karrierës politike në këtë parti për të nisur një karrierë të re në organizmat ndërkombëtarë. 
Ai ka konkurruar në një vend pune në kupolën e Kombeve të Bashkuara me seli në Nju Jork.
Intervistën për të qenë zv/sekretar i Ban Ki Mun, Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së, Majko e ka bërë të ditur për kolegët e tij të kryesisë së PS-së në mbledhjen e së premtes, mbledhja e parë e zhvilluar që pas zgjedhjes së kryesisë së re të PS-së. Majko e ka nisur rrëfimin e tij duke justifikuar fillimisht për kolegët mungesën e tij në votimin e Asamblesë Kombëtare më 3 dhjetor.
Ai tha se kishte folur me kryetarin e partisë dhe kryetarin e Asamblesë, zotin Ruçi për këtë arsye dhe bëri të ditur se ato ditë ishte në Amerikë për të dhënë intervistën në OKB, ku ka kandiduar për Zëvendëssekretar për Evropën Juglindore, Rusinë dhe Kaukazin. Mësohet se Edi Rama e ka vlerësuar lart karrierën e Majkos dhe ka thënë se nëse ai do të marrë këtë detyrë kjo do jetë një nder jo vetëm për PS-në, por për Shqipërinë.
Seseri ikën dhe falenderon Ramën…
Deputetja e qarkut të Durrësit, Rudina Seseri, pas një kohe të gjatë mungesash në grupin parlamentar të Partisë Socialiste ka lënë me dëshirën e saj mandatin e deputetes. Burime zyrtare nga PS-së bënë të ditur për gazetën Tema se Seseri ka depozituar pranë sekretarisë së grupit një kërkesë ku i bën të ditur partisë se për arsye personale ka vendosur të lërë mandatin e saj të deputetes të fituar në qershor 2009. 
Prej kohësh Seseri i është rikthyer jetës së saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku dhe është martuar me një shtetas amerikan dhe ka pasur një punë të mirë në profesionin e saj si ekonomiste para se të kthehej në Shqipëri.
Seseri ishte “ylli” i ri i PS-së me të cilën Edi Rama është mburrur jo pak para zgjedhjeve të vitit 2009. Ajo ka qenë shumë aktive në debate televizive dhe në media, por pasi mori mandatin e deputetes u shkëput pak e nga pak nga politika. Akoma nuk dihet zyrtarisht se cili është emri që e zëvendëson
Friday, 16 December 2011 21:24