Prishtinë-Agjencia Kosovare e Privatizimit bëri të ditur sot se nga privatizimet dhe shitjet e aseteve për këtë vit, të vlerësuar të suksesshëm, janë mbledhur 69 milionë euro.
“Deri tani numri i ndërmarrjeve shoqërore që janë privatizuar është 306, ndërsa janë krijuar 670 ndërmarrje të reja”, tha kryetari i Bordit të Drejtorëve të Agjencisë së Privatizimit, Dino Asanaj, në një konferencë shtypi, duke prezantuar të dhëna edhe për gjithë procesin e privatizimit, që nga fillimi.
Në këtë proces, shtoi ai, janë mbledhur në total mbi 584 milionë euro.
“Këto fonde janë të afatizuara në Bankën Qendrore të Kosovës dhe gjatë 2011 fondi ka përfituar nga kamatat 4.4 milionë euro, kurse në total përfitimi shkon në 7 milionë euro”, tha Asanaj.
Agjencia Kosovare e Privatizimit në vitin e ardhshëm parashikon privatizime të mëdha e strategjike dhe procesin e riorganizimit të Trepçës. (LajmeShqip.com)
Friday, 16 December 2011 20:25