Lajme Shqip Friday, 16 December 2011 20:30

Tiranë – Teatri Metropol i Tiranës do të sjell për pubikun një komedite të re, “S’ka burrë që tradhton gruan time”, të regjisorit Milto Kutali.

Guri Koço, Armela Demaj, Florian Agalliu janë tre personazhet që do të sjellin veprën e autorëve Samuel Bobrik dhe Ron Klark në datat 22, 23 dhe 24 dhjetor, në ora 19:00 në sallën “Shekspir” të Teatrit Metropol në Tiranë.

Subjekti i komedisë ka në qëndër një grua dhe të dashurin e saj dentist të cilët kanë thurrur intrigën për të mbytur në vaskë bashkëshortin e saj. Gjithçka funksionon në mënyrë perfekte kur ai vjen, madje edhe i ndihmon ata sepse nuk beson se plani për eleminimin e tij do të funksionojë.

Pol zbulon se e shoqja është tradhëtuar nga dashnori i saj dhe i mbush mëndjen gruas që të mos vrasë veten, por të vrasin të dashurin e saj. Pol kërkon hakemarrje, pasi për të ajo që nuk falet është: “S’ka burrë që tradhëton gruan time”. Arlena pasi i ka lënë të dy, Pol dhe Michell thurrin intrigën dhe përgatisin trekëmbëshin për gruan që i ka tradhëtuar. Litari këputet në momentin final…

Situatat nga më komike të shfaqjes pasojnë njëra-tjetrën duke e përfshirë publikun në një realitet tjetër për më shumë se 1 orë e 30 minuta në Teatrin e Metropolit, në një shfaqje me skenografi të Katriot Rroshit.

Kjo është premiera e re në Teatrin Metropol në Tiranë, pas dramës “Shtëpia e Bernarda Albës” që vazhdon të shfaqet edhe këtë javë.