Një konflikt i vjetër sa vetë bota, një pyetje që kurrë nuk ka marrë një përgjigje përfundimtare. A mund të jenë meshkujt dhe femrat vetëm miq, apo jo? Në të gjithë filmat, ose në shumicën e librave, një mashkull dhe një femër kurrë nuk mund të mbeten shokë, pasi në fund gjithmonë njëri dashurohet me tjetrin.
Nis gjithmonë në të njëjtën mënyrë: i tregoni më shumë gjëra për veten tuaj, i tregoni defektet dhe shumë anë të karakterit tuaj që kurrë nuk mendonit se do t’ja tregonit pikërisht atij. Sa më shumë kohë të kaloni me të, aq më shumë fillon t’ju pëlqejë ajo këmisha blu që ai gjithmonë e vesh. Sa më shumë kohë që kalon, e kupton se nuk është si gjithë të tjerët, por është më special, pasi ju i keni treguar çdo gjë që keni përjetuar, madje edhe frikat tuaja më të mëdha.
Mes jush është një miqësi kaq e veçantë, sa efektivisht shoku juaj i ngushtë ju njeh më mirë se i dashuri me të cilin ju keni kohë që po e frekuentoni. Ai di si t’ju rrëmbejë, di si të kujdeset për ju, di t’ju ngushëllojë kur ju jeni e mërzitur.
Por a mjafton kaq për të menduar se ai është njeriu i duhur për ju? Shpesh herë dashuria ngatërrohet me ndjenjën e miqësisë. Gabimi i parë është se filloni ta idealizoni shumë këtë person. Nuk është e thënë se meqënëse është një shok i shkëlqyer, domosdoshmërisht duhet të jetë edhe njeriu i duhur për ju. Në miqësi mund të keni gjetur disa pika të përbashkëta, por nuk do të thotë që këto të përbashkëta t’i keni gjetur edhe në dashuri.
Në miqësi jeni më të lirshëm, nuk ndjehet xhelozi kur i tregoni njëri-tjetrit për jetën personale. Kur jeni miq është shumë e thjeshtë të ndani me njëri-tjetrin shumë gjëra, madje duke gjetur edhe shumë gjëra të përbashkëta. Kështu që, nëse ndjeni se ndjenjat po ngatërrohen me njëra-tjetrën, përpara se të vendosni mendohuni mirë sepse nuk mund të jetë çdo gjë e lehtë.
Gjëja më e mirë që mund të bëni është të flisni me njëri-tjetrin rreth situatës së krijuar, ndjenjat që keni që të dy, pa rënë pre e impulseve apo dëshirave tuaja. (LajmeShqip.com)
Friday, 16 December 2011 12:30 