Lajme Shqip Friday, 16 December 2011 11:00

Vlorë – 3 milionë euro është fondi që ka akorduar Italia për të financuar një projekt që synon intensifikimin e sektorit të ullirit në Shqipëri.

Drejtori i Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore, prof.dr.Dimitër Panajoti, tha se, ky projekt që parashikohet të zbatohet në rrethet Fier, Vlorë, Berat dhe Elbasan, synon të garantojë një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit të ullirit, duke rritur cilësinë e prodhimit të vajit, për të konkurruar me standardet e BE-së në këtë drejtim. Panajoti sqaron se, investimi do të shtrihet në drejtim të rigjenerimit të sipërfaqeve ekzistuese me ullinj dhe shtimit të saj me fidanë cilësorë dhe të çertifikuar. “Projekti synon të mbështesë dhe nxisë përmirësimin e cilësisë së vajit të ullirit, përmirësimin e kapaciteteve në këtë sektor, si dhe të subvencionojë faktorët nxitës në zinxhirin prodhues, duke nisur nga fidanët e çertifikuar deri në përmirësimin e teknologjisë së përpunimit të ullirit”, tha ai.

Për këtë, nga Italia do të ofrohet veç të tjerash, ekspertizë e specializuar për të ndërhyrë në zinxhirin e kultivimit dhe të përpunimit të vajit, duke u shoqëruar kjo edhe me subvencione të drejtpërdrejta në përmirësimin e strukturës së prodhimit dhe cilësinë e produktit. Kjo do të shoqërohet me mundësinë e krijimit të një laboratori kombëtar për të vlerësuar karakteristikat dhe cilësinë e vajit të ullirit, sipas standardeve ndërkombëtare.

Zbatimi i projektit të financuar përmes Kooperacionit Italian, do të shtrihet përgjatë 3 vjetëve. Në këtë drejtim, në Qendrën e Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Vlorë, do të garantohet prodhimi dhe furnizimi i fermerëve me fidanë ulliri të cilësisë së lartë të varieteteve autoktonë siç është “Kalinjot”, që është i përshtatshëm për kultivim kryesisht në zonat e Vlorës, Fierit, Mallakastrës. Një sasi prej 100 mijë fidanë ullinjsh janë tashmë gati për t’iu shpërndarë fermerëve të interesuar për kultivimin e kësaj kulture.

Në serat e reja që u ndërtuan pranë Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore me sipërfaqe prej rreth 5 hektarësh, do të prodhohen 300 mijë deri në 500 mijë fidanë ulliri në vit, me të cilat do të furnizohen subjektet dhe fermerët që do të kultivojnë ullirin në Vlorë dhe rrethe të tjera të vendit.

“Kultivimi i fidanëve është një nga drejtimet bazë të zbatimit të strategjisë kombëtare të iniciuar nga Qeveria Shqiptare për shtimin e sipërfaqeve me ullinj, që parashikon shumëfishimin e tyre deri në 20 milionë rrënjë brenda një afati prej 10 vjetësh. Vetëm në Qarkun dhe në rrethin e Vlorës, janë evidentuar rreth 12 mijë hektarë sipërfaqe toke e lirë, të cilat kanë nisur të futen gradualisht në efiçensë për të plotësuar këtë objektiv.

Gjatë 3 viteve të fundit, në rrethin e Vlorës janë mbjellë rreth 350 hektarë me ullinj, të cilat janë subvencionuar nga buxheti i shtetit me rreth 120 milionë lekë.

 Në këtë rreth numërohen aktualisht rreth 1.3 milionë rrënjë ullinj, që përfaqësojnë 30 përqind të tyre në shkallë vendi, duke realizuar të njëjtën përqindje në prodhimin kokërr. Sot prodhohen çdo vit mesatarisht, 11700 tonë ullinj dhe 1450 tonë vaj, ndërkohë që vlerat respektive për vitin 1990 ishin 7000 dhe 1030 tonë.