Lajme Shqip Friday, 16 December 2011 09:00

Vlorë – Ish-punonjësja e filialit të Postës Shqiptare për Vlorën, Yllka Gjondeda, e cila u arrestua pak ditë më parë si e dyshuar për vjedhjen  e vlerave të konsiderueshme financiare, u denoncua sot nga një pensioniste e këtij qyteti për përvetësimin e pensionit të saj për një periudhë 8 mujore.

Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur se, “filloi procedimi penal në gjendje të lirë për 45 vjeçaren Yllka Gjondeda, pasi një e moshuar pretendon se ajo i ka përvetësuar në mënyrë të paligjshme pensionin e saj për një periudhë 8 mujore në vlerën e 90 mijë lekëve”.

Dosja në ngarkim të saj ju përcoll prokurorisë së rrethit me akuzën e vjedhjes, duke shpërdoruar detyrën.

Pak ditë më parë, Gjondeda, ish-karteliste e filialit të Posta Shqiptare, u arrestua nga policia për të njëjtën vepër penale, si e dyshuar për përfitimin e një shume financiare prej 7 milionë lekësh, përmes falsifikimit të nënshkrimeve të 375 pensionistëve, për të cilën Prokuroria e Vlorës po kryen veprimet hetimore ndaj saj, në kushtet e masës së sigurisë “Detyrim për paraqitje”.