Lajme Shqip Friday, 16 December 2011 08:30

Tiranë (PLOTËSUAR, 16 Dhjetor, 08:30) Kryeministri Sali Berisha deklaroi mbrëmë se “mazhoranca do ta votojë kandidatin e përzgjedhur nga PS, për postin e Avokatit të Popullit”, por theksoi se “këtë proces, kreu i PS-së e përdori në mënyrën më të veçantë, e fabrikoi nga zyrat e PS-së”.

Gjatë intervistës televizive, shefi i qeverisë nënvizoi se ka qënë dhe është i bindur se Avokati i Popullit, duhe t’i përkasë opozitës. Ai duhet të jetë Avokat për të drejtat e qytetarëve, nuk duhet të ketë ndikime nga qeveria dhe duhet të denoncojë administratën që cënon të drejtat e qytetarëve”.

Sipas tij, në komisionin për propozimin e kandidatit për Avokat të Popullit, duhet të ishin ftuar deputetë edhe të partive të tjera duke theksuar se “ky proces u bë në bunkerët e PS-së”.

Duke vënë në dukje se kandidati për Avokat të Popullit, Igli Totozani, plotëson kriterin që nuk ka qënë persekutor në diktaturë, Berisha vuri në dukje se “ne besonim që do vinte një Avokat që do mbronte interesat e qytetarëve opozitarë dhe jo interesat klaneve më të ngushta të Ramës.Por le të mos paragjykojmë”.

Kryeministri shtoi se “Avokati i propozuar, është avokat i një grupi problematik të PS-së.

*******************

Tiranë-Partia Socialiste shpalli të enjten, kandidaturën e Igli Totozanit për postin e Avokatit të Popullit, pas dëgjesës publike të organizuar pak ditë më parë me 12 kandidatët për këtë post.

“Kandidatura e Igli Totozanit do t’i përcillet kryesisë së PS-së dhe grupit parlamentar socialist”, bëri të ditur gjatë një konference për shtyp, kryetarja e komisionit të ngritur për këtë qëllim, deputetja Eglantina Gjermeni.

“Përzgjedhja e kandidaturës kaloi në dy faza, të cilat i ndërtuam duke pasur parasysh si normat kushtetuese dhe ligjin “Për Avokatin e Popullit”, ashtu dhe kriteret e vendosura prej nesh”, tha Gjermeni.

Të hënën, PS organizoi dëgjesën publike për përzgjedhjen e kandidaturës së Avokatit të Popullit, e cila zgjati rreth 7 orë. Pas seleksionimit të 33 kandidaturave që aplikuan për këtë post nga komisioni i saj ad-hoc, PS përzgjodhi 12 kandidatë të cilët paraqitën vizionin e tyre për këtë detyrë. (LajmeShqip.com)