Tiranë- Përfaqësues të partive të vogla parlamentare, si nga maxhoranca edhe nga opozita, kërkuan në Komisionin e Reformës Zgjedhore, ndryshimin e sistemit zgjedhor. 
Pretendimin e tyre këto parti e argumentojnë me faktin se një ndërhyrje në sistem do të sillte një përfaqësim më të drejtë të vullnetit të qytetarëve. Njëkohësisht, forcat politike do të përfaqësoheshin sipas forcës së tyre reale në Kuvend.
Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo dhe Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule kundërshtuan planin e punës së miratuar në komision, i cili parashikon vetëm adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Sipas tyre, Kodi Zgjedhor që u zbatua në zgjedhjet parlamentare të 2009-ës nuk solli përfaqësim të drejtë e të barabartë të votës së qytetarëve. Mediu tha se, ai thjesht përmbysi në disfavor të të vegjëlve sistemin e “dushkut” që u zbatua në vitin 2005.
“Nëse në vitin 2005 partitë e vogla arritën të mernin deputetë nga partitë e mëdha nga sistemi “i dushkut”, në vitin 2009, thjesht u përmbys formula. Ndaj duhet një korrigjim i sistemit për përfaqësim të drejtë të partive në parlament dhe të votës së qytetarëve”, u shpreh kreu i republikanëve, Fatmir Mediu.
Në vitin 2009, me shumicë dërrmuese votash u miratua ndryshimi i sistemit zgjedhor, nga proporcional i përzier me mazhoritar, në proporcional rajonal.
Tashmë partitë e vogla kërkojnë që sistemi të korrigjohet në Kodin Elektoral, pa pasur nevojën e ndërhyrjes në Kushtetutë. Por për dy forcat e mëdha politike PD e PS, të cilat kanë dhe veton në komision, kryesore është zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, në mënyrë që organizimi i zgjedhjeve dhe procesi i administrimit të tyre, të mos lërë shteg për kontestimin e zgjedhjeve.
Kjo është paralajmëruar të jetë dhe baza e Opinionit të Komisionit të Venecias drejt të cilit përfaqësuesit e të dy palëve do të udhëtojnë të premten e 16 dhjetorit.
Thursday, 15 December 2011 19:06