Edhe pse nga Brukseli thonë se është arritur marrëveshja ndërmjet Komisionit Evropian dhe Rusisë për kalimin e konvojit me ndihmat ruse në pjesën veriore të Kosovës, një gjë e tillë mohohet të ketë nisur së zbatuari në terren.
Zëdhënësi i policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, tha se konvoji humanitar ka qëndruar edhe gjatë natës në pikën kufitare 1 në Jarinë dhe nuk ka pasur ndonjë lëvizje të re në terren.
“Sa i përket kamionëve të cilët qëndrojnë tash e disa ditë në në pikën kufitare 1 në Jarinje nuk kemi ndonjë ndryshim në terren. Kamionët kanë mbetur pa lëvizur. Flitet për marrëveshje të mundshme që mund të arrihet mirëpo situata ë terren nuk ka ndryshuar. Pra ata kamionë vazhdojnë të qëndrojnë jashtë territorit të Kosovës edhe në këtë kohë kur ne po bisedojmë.”-deklaroi zëdhënësi Hoti.
Zëdhënësja e shefes së diplomacisë evropiane, Maja Kocijançiq, u tha mediave serbe se Komisioni Evropian ka arritur një marrëveshje me Qeverinë e Rusisë për të siguruar depërtimin e konvojit me ndihma humanitare nga Rusia te serbët e pjesës veriore të Kosovës.
E në anën tjetër zyrtarë për informim të EULEX-it nuk kanë komentuan këtë deklaratë duke thënë se vetmja që mund të deklarohet për këtë çështje është Maja Kocijançiq. Konvoji, siç kanë deklaruar shoqëruesit rusë, me 300 tonë ndihma humanitare për serbët e Kosovës është ndalur në Jarinë, kufirin ndërmjet Kosovës e Serbisë, që prej tri ditësh.
Thursday, 15 December 2011 18:09