Lajme Shqip Thursday, 15 December 2011 16:30

Tiranë – Kryetari i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Ilir Meta u shpreh se në lidhje me një kandidim të mundshëm të ish-liderit socialist Fatos Nano si President i Republikës se “është ende shpejtë të flasim për Presidentin e ardhshëm, aq me tepër kur kemi një President në detyrë”.

Në një konferencë të mbajtur me rastin e përvjetorit të liberalizimit të vizave, Meta theksoi se, “vitin e ardhshëm nuk është çështja e Presidentin më e rëndësishmja. Viti i ardhshëm është një vit i jashtëzakonshëm për të gjithë vendin tonë dhe kombin tonë. Është viti i 100-vjetorit të Pavarësisë dhe të krijimit të shtetit shqiptar”.

“Nuk dëshiroj t’i japë më shumë rëndësi se sa i takon çështjes së Presidentit, aq më tepër kur jemi ende shumë herët për të folur për këtë çështje dhe ku natyrisht është një President tjetër në mandatin e tij. LSI për këtë çështje, në kohën e duhur do të mbajë qëndrimin e saj dhe natyrisht do të konsultohet edhe me PD-në edhe me forca të tjera politike, bazuar edhe në marrëveshjen e kësaj qeverie koalicioni”, tha Meta.

Në lidhje me punën e Komisionit për Reformën zgjedhore Meta u shpreh se, qëndrimi i LSI-së është tepër parimor dhe konsistent.

“Ne besojmë se modeli i importuar spanjoll nuk është një model i përshtatshëm për të respektuar atë parim kushtetues të barazisë së votës së qytetarëve shqiptarë. Ndaj, ne do të insistojmë për të diskutuar edhe vetë çështjen e sistemit. Ne nuk dëshirojmë të vëmë kushte por është e domosdoshme që të kemi një sistem më demokratik, më përfaqësues, më të drejtë dhe që nuk synon thjesht të shkojë në drejtimin e interesave të forcave të caktuara politike por që synon të rrisë besimin e qytetarëve shqiptarë tek vota e tyre dhe në radhë të parë tek barazia e kësaj vote”, tha Meta.

Duke folur për një vjetorin e liberalizimit të vizave Meta u shpreh se, “sot është përvjetori i parë që nga momenti kur të gjithë qytetarët shqiptarë fituan të drejtën për të lëvizur si qytetarë të barabartë evropianë në të gjithë hapësirën Shengen. Kjo është një nga arritjet më të mëdha të vendit tonë, të popullit tonë dhe të gjithë qytetarëve tanë, në veçanti gjatë gjithë këtyre 20 viteve, pasi vetëm në një vit rreth 800 mijë qytetarë shqiptarë e kanë prekur këtë arritje, këtë fitore dhe këtë sukses.

“Jemi krenarë sot, një vit pas kësaj arritjeje, për arsye sepse përkundër edhe skepticizmit për fat të keq të forcave të caktuara politike edhe brenda vendit apo edhe qarqe të caktuara jashtë vendit, të cila paragjykonin se kjo lëvizje e lirë do të sillte probleme në vendet e hapësirës Shengen, pra përkundër të gjithë këtyre paragjykimeve, përkundër të gjithë këtij skepticizmi qytetarët shqiptarë u sollën në mënyrën më shembullore, në mënyrën më evropiane, në mënyrën më korrekte, në mënyrën më të përgjegjshme duke treguar se ata vërtet e meritonin dhe e meritojnë këtë arritje duke mos sjellë asnjë shqetësim, përkundrazi”, tha Meta duke kujtuar faktin se edhe Komisionerja Malstrom ka bërë vlerësimet e saj për këtë mënyrë tepër të përgjegjshëm se si iu përgjigjën të qytetarët shqiptarë, përgjatë këtij viti, kësaj drite jeshile që dha Bashkimi Evropian dhe vendet e zonës Shengen.

Njëkohësisht vijoi Meta,”jemi krenarë sepse gjatë këtij viti i është dhënë dinjiteti i merituar pasaportës tonë, të qytetarëve shqiptarë, e cila po fiton një dinjitet gjithnjë edhe më të madh”.

Meta vlerësoi edhe dy marrëveshjet e nënshkruara me Malin e Zi dhe Maqedoninë, ku për herë të parë qytetarët shqiptarë do të lëvizin në vendet fqinje vetëm me karta identiteti.

Ndërkohë shtoi Meta, “shumë marrëveshje janë arritur, po negociohen, po diskutohen me shumë vende të tjera të rëndësishme, në të gjithë botën, me të cilat shqiptarët dëshirojnë të komunikojnë dhe të zhvillojnë marrëdhënie bashkëpunimi në të gjitha fushat, të cilat do të synojnë përsëri heqjen e vizave me këto vende dhe fitimin e lehtësive të tjera”.

Prandaj është shprehur Meta, “ky është një përvjetor tepër domethënës, është një përvjetor tepër i suksesshëm dhe jam i sigurt që kështu do të vijojë edhe në të ardhmen”.