Tiranë – Lëvizja e lirë në vendet e zonës “Shengen”, në pjesën dërrmuese të saj u respektua nga qytetarët shqiptarë, si në rregullat e hyrjes në këto vende, ashtu edhe në afatet e qëndrimit të vendosura nga Brukseli zyrtar.
Sot, kur ka kaluar një vit nga 15 Dhjetori 2010, dita e parë e lëvizjes pa viza në Evropë, mësohet se vetëm në një vit janë 422 mijë e 363 qytetarë që për herë të parë udhëtuan drejt vendeve “Shengen”, vetëm me një pasaportë biometrike.
Ishte 15 dhjetori 2010, dita kur shumë qytetarë shqiptarë iu drejtuan pikave të kalimit kufitar, nga toka, deti dhe ajri dhe për herë të parë prekën nga afër ëndrrën e madhe evropiane, lëvizjen e lirë pa viza drejt Evropës. Dhe kjo ditë do të kujtohet si fillimi i një imazhi të ri për Shqipërinë.
Për shumë vite kjo ditë do të mbahet mend në historinë e shqiptarëve si “Dita e Madhe e lëvizjes së lirë në Evropë”, dita e lëvizjes vetëm me një pasaportë biometrike, pa nevojën e një vize që mundëson hyrjen në Evropë.
Në një intervistë për ATSH-në, Drejtori i Përgjithshëm i Departamentit të Kufirit në Policinë e Shtetit, Pëllumb Nako, bën të ditur se veç atyre që për herë të parë kanë dalë nga kufiri vetëm me pasaportë biometrike, intensiteti i daljes nga kufiri shqiptar gjatë një viti është 3 milionë e 131 633 shtetas, ndërsa në hyrje 2 milionë e 656 036 shtetas, pasi një pjesë e tyre nuk janë kthyer pasi janë brenda afatit 90 ditor të qëndrimit në vendet e zonës Shengen.
“Fluksi i lëvizjeve në kufi ka qenë i njëtrajtshëm dhe lëvizja e lirë e shtetasve shqiptarë në zonën “Shengen”, në pjesën dërrmuese të saj është respektuar nga qytetarët, si në rregullat e hyrjes, ashtu edhe në ato të qëndrimit nga qytetarët shqiptarë”, thotë Nako.
Me përjashtim të disa shtetasve të kthyer në kufi, në pjesën më të madhe për shkaqe të ardhura nga vetë qytetarët, ky proces, sipas kreut të Kufirit po ecën normalisht.
Ndërkohë, Nako bën të ditur se janë 16 mijë e 663 shtetas që nuk janë lejuar të hyjnë në kufijtë e Evropës, prej të cilëve 11 mijë e 145 persona që dikur kanë qenë ilegalë në vendet “Shengen” dhe kanë espuls për të mos u lejuar të hyjnë në këto vende për një afat të caktuar.
Edhe pse ata e kanë ditur këtë fakt, thotë Nako, nuk e kanë marrë në konsideratë, çka ka sjellë edhe moslejmin e tyre për të hyrë në Evropë.
Ndërsa vetëm një pjesë e vogël e tyre, rreth 3175 persona, janë kthyer për mosplotësim të kushteve të hyrjes në “Shengen”, apo nuk kanë ditur të shpjegojnë qëllimin e vizitës së tyre në këto vende, thotë Nako.
Nako u ndal edhe në fenomenin e bërë publik së fundi lidhur me azilkërkimin e disa personave në vendet “Shengen”, kryesisht në Belgjikë, fenomen që, sipas Nakos, nuk ka të bëjë me procesin e liberalizimit të vizave. Ky problem, tha ai, ka qenë i kahershëm dhe përpara procesit të liberalizimit të vizave numri i azilkërkuesve në disa vende, sipas tij, ka qenë më i madh.
Një rritje të numrit të azilkërkuesve Nako tha se ka patur në Belgjikë, por ky numër për të në vetvete nuk përbën një shifër të konsiderueshme, por vetëm një rritje të menjëhershme të tij krahasuar me një muaj më parë dhe që po shkon drejt minimumit.
Me atë çka pritej nga liberalizimi i vizave mendohet se shqiptarët e kanë respektuar procesin, tha Nako. Pa përjashtuar edhe mundësinë e shfrytëzimit të lëvizjes së lirë nga persona me precedentë, ai tha se me rritjen e teknologjisë së kontrollit në kufi, është rritur numri i personave të ndaluar në kufi, të kërkuar më parë nga Interpoli.
“Nuk mund të përjashtojmë se lëvizja e lirë rrit edhe mundësinë e kalimit të kufirit nga persona të përfshirë në krime, ndonëse ky nuk ka qenë një fenomen shqetësues”, tha Nako. Ndërkohë që edhe logjistika e instaluar në kufirin shqiptar i përgjigjet me të gjitha kapacitetet flukseve të lëvizjeve, edhe në stinën e verës, nënvizoi ai.
Duke folur për projektet që ky department ka në të ardhmen me vendet e rajonit e më gjerë për mirëmenaxhimin e kufirit, Nako tha se Policia e Kufirit shpesh herë ka qenë protagoniste dhe iniciatore për lidhjen dhe integrimin e sistemeve të kufirit me vendet fqinje.
“Me iniciativën tonë i është kërkuar Maqedonisë, Greqisë, Kosovës dhe Malit të Zi dhe është rënë dakort në parim për të pasur Qendra të Përbashkëta të Shkëmbimit të Informacionit, të rekomanduara këto nga BE , për realizimin e të cilave ne kemi qenë të parët që kemi hedhur hapat për të propozuar modelet e bashkëveprimit mes vendeve të rajonit”, tha Nako.
Thursday, 15 December 2011 14:44