Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë takimit sot me Kryesuesin e Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Bosnje-Hercegovinës, Denis Beçiroviç, shprehu interesin e palës shqiptare për hapjen e ambasadës boshnjake në Tiranë, e cila do të lehtësonte lëvizjen e lirë të qytetarëve mes dy vendeve.
Sipas një njoftimi për shtyp, gjatë takimit Kreu i Shtetit shqiptar dhe kryeparlamentari i Bosnjes vlerësuan marrëdhëniet e mira dypalëshe, ndërsa shprehën interesin për intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat.
Presidenti vuri në dukje se pala shqiptare do të mirëpriste hapjen e Ambasadës së Bosnje-Hercegovinës në Tiranë, e cila do të ndikonte në nxitjen e mëtejshme të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Duke nënvizuar rëndësinë e procesit të integrimit evropian të të gjitha vendeve të rajonit ballkanik, Kreu i Shtetit shqiptar shprehu dhe interesin e palës shqiptare për lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve në të dy vendet mike.
“Kjo do të jepte një impakt të menjëhershëm në rritjen e nivelit të bashkëpunimit të gjithanshëm, e sidomos atij ekonomiko-tregtar, si dhe do të ndikonte në afrimin e mëtejshëm mes Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës dhe njohjen e kulturave të të dy vendeve”, u shpreh Presidenti.
Ai theksoi gjithashtu se “bashkësia boshnjake, e respektuar dhe e mirëintegruar në Shqipëri, luan një rol të rëndësishëm në këtë drejtim duke shërbyer si një urë solide komunikimi mes dy popujve dhe vendeve tona”.
Nga ana e tij, kryetari i Parlamentit të Bosnje-Hercegovinës, Denis Beçiroviç, shprehu angazhimit e shtetit boshnjak për zhvillimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha me interes të ndërsjellë. Ai vuri në dukje se në këtë drejtim mund të shërbente edhe përmirësimi i infrastrukturës rrugore apo vendosja e një linjë direkte avioni mes Sarajevës dhe Tiranës, gjë që do të zgjeronte komunikimin dhe rritjen e marrëdhënieve ekonomiko-tregtare me përfitime të përbashkëta.
Thursday, 15 December 2011 13:25