Tiranë-Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave votoi të mërkurën pro kandidaturës së Bujar Leskajt në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Gjatë shqyrtimit të dekretit të Presidentit për kandidaturën e Leskajt, deputetët e maxhorancës vlerësuan kandidaturën e Leskaj në krye të KLSH-së, ndërsa opozita nuk mori pjesë në votim.
Opozita akuzoi maxhorancën për standarde të dyfishta për emërimin e zyrtarëve, konkretisht në krye të KLSH-së.
Nga ana tjetër deputetët e opozitës njoftuan mos pjesëmarrjen e grupit parlamentar të PS-së gjatë votimit të Leskajt në seancën plenare të Kuvendit ditën e enjte.
Leskaj në fjalën e tij para deputetëve të komisionit Parlamentar prezantoi vizionin e tij për KLSH-në, duke theksuar se nisma e parë do të jetë dorëzimi i imunitetit si kreu i institucionit.
Ai renditi më tej planet e tij për reformimin e nevojshëm të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ndërsa i cilësoi si sfidat që e presin kontrollet në administratën fiskale, në koncensione e privatizime dhe vuri theksin në rritjen e bashkëpunimit me institucionin e Prokurorisë.
Dekretimi i emrit të Bujar Lesksajt si kreu i ri i Kontrollit të Lartë të Shtetit u bë nga presidenti Topi në 17 nëntor, pas rrëzimit të Sali Shehut, dekretuar si kandidatura e parë e zgjedhur nga kreu i shtetit. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 14 December 2011 23:08