Lajme Shqip Monday, 12 December 2011 11:55

Tiranë-Spartak Ngjela, një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të opozitës në Shqipëri, shprehet në një intervistë për “Shqip”, se lajmi në politikën shqiptare është padyshim “fenomeni Topi”. 

Sipas Ngjelës, një parti e mundshme e Presidentit do të fitonte pikë djathtas, ndaj Berisha si kundërlëvizje mund të shpallte zgjedhjet e parakohshme parlamentare, për të mos i lënë mundësi Topit që të formësojë forcën e re politike. Por sipas politikanit të njohur, çdo lëvizje e ka një kundërpërgjigje.

“Presidenti Topi ka dalë në skenën e politikës shqiptare si një faktor i veçantë dhe unë mendoj se ka bërë shumë mirë. Nëse ai do të vijojë me këtë temp, atëherë do të gjendemi përpara “fenomenit Topi”, i cili mendoj se do t’i bënte shumë mirë politikës shqiptare në këto momente ku ngjan se gjithçka ka ngrirë në mungesë idesh dhe konceptesh për një politikë moderne”, eshte shprehur Ngjela.

“Që të analizosh duhet të mbështetesh te faktet; dhe fakti i njohur botërisht sot është vetëm prononcimi i Bamir Topit që, pas mandatit presidencial, do të vijojë të merret me politikë, ndoshta në një parti të re. Është gjithashtu tensioni që ka ngritur te “grupi i Saliut” në Partinë Demokratike, por është edhe entuziazmi që ka krijuar djathtas, dhe jo vetëm djathtas”- ka thënë Ngjela.

Sipas tij, të gjitha këto të bëjnë të mendosh se “Lëvizja Topi” do të ketë rezonancë të konsiderueshme në opinionin publik shqiptar dhe, për këtë fakt, mendoj se gjendemi përballë një fenomeni pozitiv. 

Njgela shton se sot gjendja politike në Shqipëri është e paralizuar, dhe paraliza vjen nga mungesa e ideve.

“Opinioni shqiptar që është i tejngarkuar emocionalisht kundër qeverisë së Kryeministrit Sali, nuk mund të durojë tërheqje, sepse humbet në vorbullën e pesimizmit, pasi e mendon paralizën opozitare si dobësi të opozitës dhe forcë të qeverisë”-vijon Ngjela. 

Kjo gjë sipas tij krijon një masë njerëzish, të cilët nuk gjejnë më motiv për të votuar dhe sigurisht që i krijon qeverisë së degraduar një hapësirë për të fituar zgjedhjet.

“E gjithë kjo situatë, do të elektrizohej nëse një forcë e re, me program të qartë antiqeveritar, me denoncime dhe me një verb të thekshëm demokratik dhe reformator, do të krijonte në opinionin publik një shpresë të re, por do ta shkundte edhe opozitën aktuale nga pozicionoi qesharak që ka marrë, sepse do t’i kujtonte se nuk është vetëm ajo në këtë luftë”-përfundon Ngjela.