Lajmi u bë i ditur sot pas nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Qendrës Evropiane për Paqe dhe Zhvillim të Universitetit të Paqes, e themeluar nga Kombet e Bashkuara.
Presidenti i Bordit Ekzekutiv të Qendrës Evropiane për Paqe dhe Zhvillim të Universitetit të Paqes, Albert Maes dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, nënshkruan sot marrëveshjen për themelimin e Universitetit Evropian për Studime Zhvillimore në Kosovë, me seli në Graçanicën e Re.
Presidenti i Bordit Ekzekutiv i Qendrës Evropiane për Paqe, Albert Maes, tha se ky universitet, do të ofrojë një tërësi të studimeve zhvillimore në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai tha se mjetet janë gati për themelimin e këtij universiteti.
“Siç e dini qendra evropiane për paqe ka një staf shumë të rëndësishëm akademik. Në këtë staf ka anëtarë e profesorë shumë të shquar evropianë dhe nga Amerika. Ne nuk do të ofrojmë vetëm studime post diplomike, por edhe studime themelore.”
Ministri Buja, tha se ky Universitet do të jetë shumë etnik dhe i hapur për të gjithë studentët nga Kosova dhe më gjerë. Ky institucion ka pasur edhe një filial të hapur në Universitetin e Prizrenit, për nivelet pasdiplomike. Qendra Evropiane për Paqe dhe Zhvillim është themeluar në vitin 1985 nga Universiteti i Paqes i Kombeve të Bashkuara.
Friday, 09 December 2011 17:00