Edicioni i 13-të i Festivalit Ndërkombëtar Teatror “Përtej Kufijve”, u çel mbrëmjen e djeshme në qytetin e Elbasanit, ku ndryshe nga edicionet e tjera do të organizohet në skena të ndryshme të improvizuara. Në festival marrin pjesë 9 trupa, 6 të huaja dhe 3 shqiptare. Në programin e festivalit janë parashikuar një trupë polake, nga Sardenja, Maqedonia, SHBA, ndërsa nga trupat shqiptare teatri “Bylis” i Fierit, Teatri Kombëtar dhe ai “Migjeni”, i Shkodrës, i cili do të bëjë mbylljen e festivalit.
Ky festival do të jetë më i shkurtër në kohë, si edhe më i reduktuar në pjesëmarrjen e trupave të huaja, për shkak të djegies së teatrit ” Skampa” në muajin gusht të këtij viti.
Në çeljen e siparit të Festivalit Teatror Ndërkombëtar morën pjesë artistë të njohur të vendit si Margarita Xhepa, Luftar Paja, Tinka Kurti, si edhe artistë pjesëmarrës në këtë eveniment, i kthyer në traditë në qytetin e Elbasanit.
Kryetari i bashkisë Qazim Sejdini, i cili mban edhe nderin e presidentit në këtë edicion, tha se, “ndryshe nga 13 vjet më parë, Festivali çel siparin e tij në ambientet e Kinema “Millenium”, për shkak të tragjedisë që ndodhi në muajin gusht ku për shkak të një aksidenti u dogj Teatri tradicional i qytetit. Por, ashtu si i kisha premtuar qytetarëve të mi, ne do ta kemi përsëri teatrin ‘Skampa'”.
Kreu i bashkisë premtoi se në vitin 2012 Festivali do të zhvillohet në Skampa në kuadrin e dy ngjarjeve të ndryshme, në 95 vjetorin e teatrit Elbasanas, dhe në 100 vjetorin e themelimit të shtetit Shqiptar dhe të Pavarësisë.
Festivali u çel me performancën e teatrit “Koreja” të Leçes së Italisë, me interpretimin e “Gestures and Zoom”, performuar nga artistët Admir Shkurtaj, Giorgo Distante dhe Redi Hasa. Tre instrumentistët performuan muzikë bashkëkohore, teatri dhe ballkanike.
Më pas skena e improvizuar është zhvendosur në ambientet e Teatrit të Kukullave në teatrin “Skampa”, ku trupa e Teatrit të Bitola Maqedoni ka interpretuar shfaqjen “Më në fund” me regji të Blagoj Micevsk.
Drejtori i Festivalit, Adonis Filipi, duke e cilësuar teatrin si më të rëndësishmin e qytetarisë dhe kulturës së qytetit u shpreh se, “ky festival mbahet në kushte të vështira, por e rëndësishme është se vlerat i krijojnë njerëzit dhe ne do të tregojmë impenjimin tonë për të vazhduar më tej”.
Wednesday, 07 December 2011 12:10