Shefja e delegacionit të Kosovës, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, u shpreh e bindur se më 9 dhjetor, Këshilli i BE-së do ta shpërblejë Kosovën në sajë të rolit të saj konstruktiv në bisedime me Beogradin. 
Ky shpërblim, sipas Tahirit, do të jetë marrja e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave dhe vënia e marrëdhënieve kontraktuale me BE-në.
“Është parashikuar një pako shpërblimesh për Kosovën për procesin e antarësimit në BE. E kjo pako përmban udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, marrëdhëniet kontraktuale përmes nënshkrimit të marrëdhënieve të para tregtare dhe programet e tjera mbështetëse për Kosovën, pako kjo që Këshilli Evropian do t`ia konfirmojë Kosovës më 9 dhjetor”, tha Tahiri.
Por, këtë optimizëm të Tahirit e hodhi poshtë Ilir Deda, këshilltar i presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga. Ai tha se informacionet nga Brukseli janë se më 9 dhjetor ndoshta nuk do të hapet as marrëveshja kontraktuale e as marrëveshja për marrëdhënie tregtare.
Ndërsa për fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave, sipas Dedës kjo nuk mund të merret si një përparim, sepse është një proces që do të duhej të kishte nisur kohë më parë, e që mundësitë janë të mos nisë as tani.
Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ian Cliff, tha se është e rëndësishme zbatimi i marrëveshjeve të arritura dhe se kjo është ajo çfarë qeveria e Britanisë dëshiron të shohë gjatë muajve të ardhshëm.
“Ne ia kemi bërë me dije popullit të Kosovës se dialogu me të vërtetë është në interes të Kosovës”, ka theksuar Cliff.
Wednesday, 07 December 2011 10:22