Prishtinë-Qeveria e Kosovës, përmes një komunikate ka konfirmuar se raundi i tetë i dialogut teknik në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe me pjesëmarrjen e SHBA-ve, ka rezultuar me marrëveshjen për Menaxhimin e Integruar të Kufirit. Njëherësh thuhet se ka përparime lidhur me zbatimin e marrëveshjeve të arritura në raundet e kaluara.
“Në këtë raund është provuar t’i jepet zgjidhje po ashtu çështjes së Bashkëpunimit Rajonal, Telekomunikacionit dhe Energjisë, por pa sukses, ngase pala serbe ka treguar jogatishmëri, duke u përpjekur që të propozoj zgjidhje në shpërputhje me realitetin në Kosovë dhe rajon si dhe në kundërshtim me parimet evropiane”, thuhet në komunikatë.
Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufijve, vijon komunikata, është arritur në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjit dhe strategjisë së Kosovës për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, dhe plotësisht në frymën e standardeve të larta evropiane dhe në përputhje me Traktatin e Lisbonës, legjislacionin dhe kritereve BE-së. Në komunikatë thuhet se kjo marrëveshje ka të bëjë me bashkëpunimin mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, sipas konceptit evropian për menaxhimin e kufirit ndërshtetëror mes dy vendeve dhe se me pranimin e marrëveshjes Serbia praktikisht ka njohur kufirin ndërshtetëror me Kosovën.
Më tutje thuhet se shteti i Kosovës tashmë zbaton marrëveshje të tilla me shtet tjera fqinje, Maqedoninë dhe Shqipërinë, si dhe së shpejti pritet të nënshkruhet marrëveshja me Malin e Zi. “Delegacioni Kosovës është angazhuar për gjetjen e zgjidhjeve në dobi të interesave shtetërore të Kosovës si dhe në përmbushje të standardeve evropiane për fqinjësi të mirë dhe stabilitet rajonal”, thuhet në fund të komunikatës.
Saturday, 03 December 2011 19:40