Prishtinë – Ka përfunduar të premten procesi i marrjes në pyetje të dëshmitarëve në procesin e rigjykimit të pjesshëm ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt si dhe Lahi Brahimajt e Idriz Balajt. Provat, përkatësisht dëshmitarët që Prokuroria e Tribunalit për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, i kishte paraqitur para Trupit Gjykues u përmbyllen me dëshminë a dëshmitarit me shifrën “81”.
Me paraqitjen e këtij dëshmitari, procesit Haradinaj po i vjen fundi, pasi që Prokuroria ka bërë të ditur që dëshmia e procesit të kaluar e dëshmitarit po të mbrojtur me shifrën “80”, do të merret parasysh në provat e saj, dëshmi kjo e cila në procesin e kaluar si nga mbrojtja e Haradinajt ashtu edhe trupi gjykues qe vlerësuar si “kontradiktore” dhe jorelevenate dhe për këtë edhe e pavlefshme.
Dëshmitari i mbrojtur me shifrën “81”, edhe pse shqiptar por me identitet të mbrojtur, gjatë tërë javës është përgjigjur në pyetjet e Prokurorisë dhe Mbrojtjes vetëm në gjuhën serbe. Sikur edhe dihet, e “vetmja” risi që Prokuroria e rastit Haradinaj ka pasur për këtë rigjykim të pjesshëm ishte pikërisht dëshmia e këtij dëshmitari.
Kjo edhe për faktin që Shefqet Kabashi qe paraqitur në Tribunal dhe vendosi të mos dëshmonte në rastin Haradinaj, gjë kjo e cila këtij i kushtoi edhe me dënim prej 2 muajsh burgim.
Dëshmitari shqiptar, flet serbisht
Tribunali i Hagës, nga ana tjetër, i kishte plotësuar “kërkesat” e veçanta të dëshmitarit “81”, që në Hagë të paraqitej me përcjelljen e tij – dhe atë të shtetit prej të cilit edhe kishte ardhur të dëshmonte, pra shtetit serb.
Kjo gjë u bë e ditur sidomos në dy ditët e fundit të procesit – të enjten dhe premten derisa dëshmitari fliste për mënyrën sesi ishte marrë në pyetje në Beograd, në praninë e policive dhe prokurorëve serbë në ndërtesën e xhandarmerisë serbe për lëndë dhe “probleme” tjera.
Në dëshminë e tij, dëshmitari “81” ka thënë që ishte pjesëtar i UÇK-së dhe në “prill ose maj të vitit 1998” kishte qëndruar në Jabllanicë, ku kishte parë sesi në prani të Ramush Haradinajt, Lahi Brahimajt dhe Idriz Balajt të burgosur në një bodrum por edhe përjetuar sesi dy të rinj romë dhe një serb ishin rrahur dhe u ishin prerë veshët në mënyrë, që më pas edhe të ishin vrarë për t’u hedhur në liqenin e Radoniqit.
Po mediet, sidomos ato të Kosovës, më pas nuk u morën më me këtë temë edhe pse në fakt marrja në pyetje e këtij dëshmitari hynte në fazën e saj më interesante.
Ishte vetëm agjencia e specializuar e lajmeve nga Tribunali, Sense, ajo që në mënyrë racionale raportoi për atë sesi ishte e çuditshme që në pyetjet e Prokurorisë “dëshmitari në dëshminë e tij para prokurorisë dhe mbrojtjes e trupit gjykues kishte tejkaluar edhe dëshminë e tij fillestare” duke i shtuar ato krahasuar versionet e para zyrtare që ai i kishte dhënë dhe nënshkruar.
Dhe kjo gjë ishte mëse e mirëpritur nga mbrojtja e cila qysh në fillim të këtij rigjykimi kishte paralajmëruar Prokurorinë por dhe Trupin Gjykues që prokuroria me këtë dëshmitar do t’i bënte dëm namit të saj dhe vetë tribunalit.
Deklaratat kontradiktore të dëshmitarit “81”
Kjo edhe ndodhi. Sepse dëshmia e dëshmitarit “81” nisi të luhatej nga fillimi e deri në fund i marrjes në pyetje të këtij nga mbrojtja e Haradinajt dhe konkretisht avokati mbrojtës Ben Emmerson për tre ditë me radhë.
Edhe pse një pjesë e mirë e procesit dhe në pyetje të këtij dëshmitari shqiptar serbishtfolës ishte e mbyllur, qysh ditën e parë Emmerson para publikut në Hagë dëshmitarit i tha që mbrojtja e konsideron tërë dëshminë e tij si të shpikur dhe të rreme, sepse mbrojtja do ta dëshmojë se ai kurrë nuk ka qenë pjesëtar i UÇK-së, kurrë nuk ka qenë në Jabllanicë, dhe kurrë s’i ka takuar Haradinajn, Brahimajn dhe Balajn.
Nga ky çast, çdo gjë edhe shkoi sipas asaj që mbrojtja priste. Për tre ditë me radhë, dëshmitari në fjalë jo vetëm që shprehte shenja nervozizmi, por shpesh, në mënyrë të pazakontë, shpesh fyente mbrojtjen e Haradinajt dhe sidomos Ben Emersonin, duke e quajtur atë “gënjeshtar” por edhe duke e sharë.
Agjencia e lajmeve “Sense” ndoshta më së miri e kishte karakterizuar atmosferën – si të “elektrizuar dhe tensionuar” por edhe që më “interesante ishte se vetë Trupi Gjykues me në krye gjyqtarin Moloto nuk e ndërpriste as nuk ia ndalonte dëshmitarit “81” fyerjet dhe sharjet në drejtim të Emersonit dhe mbrojtjes”: Arsyeja për këtë edhe mund të merret me mend – Trupi Gjykues siç duket nuk dëshironte që të ndërhynte apo jepte dikujt dhe në këtë rast sidomos Beogradit, rastin që të “ankohej” për rrjedhën e procesit dhe sidomos mënyrës si trajtohen dëshmitarët.
Sidoqoftë, problemi kryesor nga marrja në pyetje e këtij dëshmitari prej mbrojtjes së Haradinajt doli të jetë që dëshmitari pos që e kishte ndërruar dëshminë e tij nga ajo që prokurorit Rogers i kishte dhënë dy herë para një viti në ndërtesën e xhandarmerisë serbe në Beograd, dilte që ai edhe gjatë procesit i kishte përzier pothuajse të gjitha versionet.
Derisa dëshmitari në versionin fillestar kishte folur për shumë detaje të dëshmisë së tij, dilte që dëshmia tërë kohën pësonte ndryshime dhe variacione të ndryshme nga dëshmia fillestare që në Beograd i kishte dhënë prokurorit të Hagës.
Çka e shtyri mbrojtësin Emmerson që para Trupit Gjykues dhe dëshmitarit në fjalë të lexojë deklaratën zyrtare të nënshkruar nga vetë Rogers, i cili bënte të ditur që gjatë tërë marrjes në pyetje për disa ditë, dëshmitari ishte në prani të një oficereje të policisë serbe apo edhe një prokurori serb! Kjo jo vetëm që e nevrikoste dëshmitarin sepse e vinte atë në pozitë të palakmueshme por edhe shkaktonte tensione në sallën e gjykimit – tensione këto të cilat Trupi Gjykues siç duket me qëllim nuk donte t’i ndalonte.
Kështu në pyetjen e mbrojtësit Emmerson se a ishte e vërtetë që dëshmitari ishte marrë në pyetje nga ëershori i vitit të kaluar deri në shtator më se 23 herë nga policia dhe prokororia serbe “për një problem” tjetër i cili s’kishte të bënte me rastin Haradinaj, ai pohoi që numri ishte i zmadhuar.
Por pasi Emmerson i lexoi deklaratën zyrtare të prokurorisë dhe policisë serbe që ishte marrë 23 herë në pyetje për “probleme” tjera, ai u detyrua të pranonte një gjë të tillë.
Dëshmitari në fjalë, të premten në mëngjes po ashtu në fillim të seancës u pyet nga mbrojtja edhe për problemet që kishte pasur me ligjin edhe në Kosovë viteve të fundit. Për fat të keq kjo pjesë ishte sërish e mbyllur për opinionin por duket të dalë e qartë që mbrojtja e Haradinajt, Brahimajt dhe Balajt kanë provuar fuqishëm që Trupit Gjykues t’i dëshmojnë se dëshmitari në fjalë pikërisht për “problemet tjera” që kishte patur me ligjin kishte pranuar t’i hynte sprovës së dëshmisë kundër të të akuzuarve. (Sense Agency & Zëri)
Sunday, 27 November 2011 17:34