Shkodër – “Migjeniana”, spektakli i trupës së Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, drejtuar nga Artisti i Popullit, Agron Aliaj dhe me muzikë të Artistit të Merituar, Gjon Simoni, u shfaq dje në skenën e teatrit “Migjeni” në kuadrin e programit të aktiviteteve që ka organizuar qeverisja vendore për festat e nëntorit.
Interpretimi i trupës së Baletit dhe Orkestrës se Teatrit të Operas e Baletit me dirigjent, Ermir Krantja, si dhe i poezive nga Sokol Angjeli, shoqëruar me skenografinë dhe kostumet e Genc Shkodranit, përcollën emocione të veçanta tek të pranishmit duke marrë edhe duartrokitjet e publikut artdashës shkodran.
“Ishte rikthimi i autorëve në shtëpinë e tyre, në teatrin e tyre. Një vepër që duhej të kishte ardhur me kohë, por për shkak se është një vepër e zbuluar nga teatri pak vite më parë, kur autori Gjon Simoni ishte në jete, ne ndjejmë një kënaqësi të veçantë për publikun e Shkodrës”, u shpre pas shfaqjes, drejtori i Teatrit të Operas dhe Baletit, maestro Zhani Ciko. Sipas tij, “ky spektakël është një vështrim i ri i ndërthurjes s muzikës së Gjon Simonit me poezinë e Migjenit dhe me interpretimin në lëvizje nga artisti ynë i madh, Agron Aliaj, koreografi dhe njëkohësisht konceptuesi i spektaklit”.
Ndërsa për koreografin e njohur, Agron Aliaj, ka qënë një ëndërr e tija që të sjellë baletin “Migjeniana” në Shkodër, sepse siç u shpreh ai, “Migjeni është i tyre, Migjeni është i Shqipërisë, Migjeni është botëror që me talentin e tij na ka frymëzuar që të arrijmë këtë shfaqje kaq cilësore të baletit”.
Thursday, 24 November 2011 09:00