Gjykata e Tiranës ka lënë të lirë Ledian Ruçin, djalin e kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste Gramoz Ruçi, i përfshirë në aksidentin e mbrëmjes të së djelës ku mbeti e vdekur 28 vjeçarja Brunilda Pinderi. 
Sipas eskpertizës së marrë nga vendngjarja, 26-vjeçari Ruçi, ka kaluar në kryqëzim kur semafori ishte i ndezur me dritën jeshile duke nxjerrë kështu fajtor për aksidentin shtetasin Edi Lika, ndaj të cilit tashmë është dhënë masa e arrestit me burg.
Sipas prokurorisë, 34 vjeçari Lika ka kaluar në kryqëzim duke mos respektuar semaforin dhe me shpejtësi tej normave të lejuara.
Procesi gjyqësor u zhvillua në spitalin ushtarak ku dy të pandehurit po i nënshtrohen mjekimit, pas plagëve të marra si pasojë e përplasjes së makinave.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së djelës rreth orës 21 e 15 minuta në kryqëzimin e Rrugës së Elbasanit, ku makina “Mini Cooper” e drejtuar nga 34 vjeçari Lika u perplas me makinë BMË X6, të drejtuar nga Ledian Ruçi.
Si pasojë, humbi jetën 28 vjeçarja Brunilda Pinderi ndërsa janë në spital Pinellopi Rafti, Ledian Ruçi, dhe Edi Lika.
Wednesday, 23 November 2011 20:20